Secondary Adv

Ligji i ri per token, dixhitalizimi i kartelave te pasurive te paluajtshme perfundon ne 2027

Deri në vitin 2027 do të digjitalizohen të gjitha kartelat e pasurive të paluajtshme që janë në letër.

 

Ofrimi i një politike të qartë për përdorimin e tokës, por njëkohësisht edhe sigurimi i transparencës apo efikasitetit të shërbimeve shtetërore të kadastrës, për investitorët dhe qytetarët, është një nga reformat që pritet të nisë së shpejti nga qeveria shqiptare.

 

Në dokumentin e politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” të publikuar së fundmi për konsultim publik, synohet që të ndërhyhet në disa fusha të politikave, si në atë të biznesit, kapitalit njerëzor, digjitalizimit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe sundimit të ligjit.

 

Agjenda Kombëtare e Reformave parashikon që deri në qershor të vitit 2026, regjistrimi fillestar i pronave të jetë kryer në 95% të të gjitha zonave kadastrale.

 

Po ashtu, pritet që të hartohet një politikë e re për tokën dhe të ndërmerren masat e nevojshme administrative, buxhetore dhe koordinuese, për fillimin e zbatimit të saj në vitin 2028.

 

Detajet se çfarë do të përfshijë kjo politikë e re, ende nuk janë përcaktuar.

 

Deri në vitin 2027 do të digjitalizohen të gjitha kartelat e pasurive të paluajtshme që janë në letër, duke krijuar mundësinë që të aksesohen lehtësisht në mënyrë elektronike në platformat online.

 

Për përfundimin e këtij procesi do të miratohet një udhërrëfyes gjithëpërfshirës, me qëllim që titujt e pronësisë në letër për pasuritë e paluajtshme dhe hartat kadastrale në të gjitha zonat kadastrale të digjitalizohen, duke i dhënë përparësi zonave me rëndësi ekonomike dhe regjistrimi fillestar të përfundojë plotësisht.

 

Gjithashtu, do të miratohet një plan integriteti  për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në shërbimet e ofruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të tilla si regjistrimi i titujve të pronësisë, regjistrimi i të drejtave reale mbi pronën, regjistrimi i detyrimeve apo lëshimi i vërtetimeve të ndryshme./Burimi: SCAN


Më të lexuarat