Miratohet kredia per hekurudhen Vore-Hani i Hotit, ratifikohet huaja me BEI
Qeveria ka ratifikuar marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane të Investimeve, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit.
Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave ajo do të duhet të kalojë në Parlament për të hyrë në fuqi dhe disbursuar.
Sipas të dhënave të bëra publike më herët, kredia e BEI kap vlerën e 120 mln euro, ndërkohë që kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit përllogaritet në 373.15 mln euro.
Struktura e financimit për këtë projekt ndahet midis kredive të dhëna nga Banka Evropiane Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti të Bashkimit Evropian dhe mbulimit të TVSH-së nga buxheti i shtetit.
Granti i BE-së kap vlerën e 137.9 mln euro, ndërsa kredia e BERZH, 98.75 mln euro. Tashmë, kjo e fundit ka marrë dakordësinë edhe në parlament, duke qenë në një fazë më të avacuar sesa marrëveshja e huasë me BEI – n.
Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit përshkon ultësirën perëndimore me stacione në Vorë – Mamurras – Laç – Milot – Lezhë – Shkodër – Koplik – Hani i Hotit, ku bëhet dhe lidhja me Malin e Zi.
Komuniteti i Transportit ka vlerësuar se rehabilitimi i saj do të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit.
Edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si një nga kreditoret e projektit e vë theksin te përfitimet mjedisore dhe sociale, që do të sjellë zbatimi i tij.
Gjatësia e kësaj linje hekurudhore është 120 kilometra./Burimi: SCAN