Secondary Adv

Nis nderhyrja per shpetimin e Ures se Zogut, 46 mln leke per projektin emergjent

Me një fond 46 milion lekë, ka nisur prej disa ditësh ndërhyrja për shpëtimin e Urës së Zogut mbi Lumin Mat, e cila rrezikonte shembjen.

 

Puna ka nisur për ngritjen e një këmbe të urës që është fundosur në ujë, teksa nuk ka një afat për përfundimin e punimeve për shkak të vështirësisë në ndërhyrje.

 

Pas shumë viteve thirrjesh, protestash e peticionesh, ka nisur ndërhyrja për shpëtimin e Urës së Zogut mbi Lumin Mat.

 

Punëtorë dhe mjete kanë zbarkuar prej ditësh në terren, për zbatimin e projektit emergjent të qeverisë shqiptare me vlerë rreth 46 milion lekë.

 

Fillimisht po punohet për ngritjen e këmbës së urës e cila është fundosur mbi 2.5 metra në lumë, e më pas do të vijohet me përforcimin e saj.

 

Ndërhyrja konsiderohet si mjaft e vështirë dhe delikate, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar ky monument kulture i kategorisë së parë.

 

“Është investimi më i rëndësishëm i vitit. Kemi të bëjmë me një monument 97-vjeçar, vepër inxhinierike unikale. Është ndërhyrje shpëtimi, shumë delikate. I përgëzoj dy kompanitë zbatuese sepse është jashtëzakonisht e vështirë.

 

Është pak vonë ndërhyrja dhe investimi do ishte i vogël”, tha Paulin Zefi, specialist i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë.

 

Pas ndërhyrjes emergjente kjo urë duhet të restaurohet plotësisht - thotë specialisti i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë Paulin Zefi.

 

“Tre harqe janë mirë, dy harqe janë plasaritur në shumë vende. Harku i 6-të duhet riparë. Pas shpëtimit të urës duhet restauruar në të gjithë gjatësinë e saj”, përfundoi Zefi.  

 

Ura e Zogut mbi Lumin Mat është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.

 

Por nga vërshimi i ujit dhe shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte, vitet e fundit ky monument pësoi dëmtime të shumta duke rrezikuar shembjen e plotë.

 

Kjo detyroi qeverinë shqiptare që të miratojë një fond emergjent për shpëtimin e saj, ndërsa për shkak të vështirësive në ndërhyrje nuk ka një afat mbi përfundimin e punimeve./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat