Secondary Adv

1.2 mln prona pajisen me kod unik, marrin fund ecejaket per adresat

Shqipëria ashtu si çdo shtet i Evropës tashmë do të kenë një sistem të mirëfilltë adresash, duke i dhënë fund ecejakeve të deritanishme dhe mungesës së orientimit. 

 

Ndryshimet në ligjin për sistemin e adresave janë botuar në fletoren zyrtare dhe hyjnë në fuqi në mes të muajit Korrik.

 

Tashmë me ndryshimet e reja, çdo godinë e rrugë të ketë një kod unik dhe emërtimin përkatës, po ashtu edhe sheshet, rrugët, parqet, etj.

 

Referuar të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA), rezulton se në Shqipëri numërohen rreth 472 mijë  apartamente dhe mbi 774 mijë ndërtesa.

 

Deri më tani, rezulton se procesi i emërtimit ka përfunduar për 150 mijë segmente rrugore në të gjithë vendin si dhe për 115 mijë ndërtesa që janë të lidhura me segmentet rrugore ku pozicionohen, sipas të dhënave teknike.

 

Sipas ligjit, bashkia/njësia administrative vendos tabelat e numërtimit fizik të hapësirave publike, ndërtesave, hyrjeve dhe apartamenteve brenda 1 viti.

 

Ligji parashikon gjoba nga 5 mijë-10 mijë lekë për strukturat përgjegjëse që nuk përmbushin këtë detyrim,  për çdo bulevard, rrugë, rrugicë, shesh ose park  të paemërtuar, si dhe për çdo ndërtesë, hyrje ose  apartament të panumërtuar.

 

Po ashtu seksionet dhe zyrat e urbanistikës së njësive vendore përkatëse detyrohen të përcaktojnë adresë të plotë për objektin, që në çastin e dhënies së lejes së ndërtimit dhe në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, gjobiten me gjobë nga 10 mijë -50 mijë lekë.

 

Adresimi i plotë i pjesëve të territorit publik ndihmon në identifikimin e zonave për rritje potenciale, tërheqjen e investimeve dhe mbështetjen e bizneseve lokale.

 

Po ashtu, një sistem i besueshëm dhe gjithëpërfshirësh adresash ndihmon në mbledhjen efikase të taksave pasi adresat e sakta e bëjnë më të lehtë për organet qeveritare identifikimin e pronave dhe bizneseve të tatueshme, duke siguruar që të ardhurat nga taksat të mblidhen në mënyrë më efektive.

 

Nga ana tjetër u vihet në ndihmë shërbimeve postare./Burimi: SCAN


Më të lexuarat