Secondary Adv

Investimet e huaja direkte rekord ne 3 mujorin e pare, 1.7 mld euro ne prona

Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme kryesuan investimet e huaja në ekonominë shqiptare edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 84 milion eurove, në rritje me 71% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

 

Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 24% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte.

 

Por, nëse përjashtojmë fitimet e riinvestuara (duke supozuar se investimet në pasuri të paluajtshme përbëjnë kryesisht flukse të reja hyrëse), ato përbëjnë 58% të vlerës së kapitaleve të reja të investuara në ekonominë.

 

Që prej vitit 2022, investimet në prona po dominojnë strukturën e investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri në vitet pas pandemisë pas pandemisë po mbështetet në masë të konsiderueshme prej kërkesës që vjen nga investitorët e jashtëm.

 

Sipas rezultateve të vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, rreth 26% të banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2023 u raportuan të blera nga shtetas jorezidentë.

 

Nga këta, 1/3 janë shtetas të vendeve jashtë BE-së. Pesha e blerjeve nga jorezidentët u rrit ndjeshëm krahasuar me nivelin 14% të 6-mujorit të parë 2023.

 

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, pavarësisht rritjes së çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera bregdetare të rajonit.

 

Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse dhe ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona për qëllime investimi.

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të tremujorit të parë të vitit stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 1.66 miliardë euro, në rritje me 41% krahasuar me një vit më parë. Në dekadën e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është rritur me pothuajse 22 herë.

 

Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e tyre vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk ka ardhur vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.

 

Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.

 

Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar ishin shërbimet financiare. Ky sektor solli investime në vlerën e 74 milionë eurove ose 21% të totalit.

 

Investimet në këtë sektor u rritën me më pak se 164% krahasuar me një vit më parë. Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, të mbështetura nga fitimet e larta vjetore dhe nga rritja e kërkesave rregullatore për kapital në vitet e fundit.

 

Stoku total i investimeve të huaja në këtë sektor ka arritur tashmë në 1.6 miliard euro. Pavarësisht largimit të një pjese të mirë të grupeve të huaja bankare, në dekadën e fundit investimet e huaja në këtë sektor janë dyfishuar, kryesisht për shkak të fitimeve të riinvestuara.

 

Rritje shënuan edhe investimet në industrinë nxjerrëse, që për tremujorin e parë të vitit u renditën si sektori i tretë me flukset më të mëdha të investimeve të huaja direkte.

 

Ato prekën vlerën e 51 milion eurove, në rritje me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në këtë sektor investimet e huaja janë kryesisht fitime të riinvestuara të ndërmarrjeve që zhvillojnë aktivitet prej vitesh, kryesisht në kërkimin dhe nxjerrjen e naftës bruto.

 

Stoku I investimeve të huaja në këtë sektor ka arritur në 2.26 miliard euro, në rritje vjetore me 22%.

 

Industria nxjerrëse renditet e dyta për nga vlera e stokut total të investimeve të huaja. Kjo renditje vazhdon të kryesohet nga sektori energjetik, ku stoku I investimeve ka arritur në 3.37 miliard euro, pavarësisht se flukset e reja të investimit janë në rënie në vitet e fundit.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte arritën vlerën e 354 milion eurove, niveli më i lartë historik për këtë periudhë të vitit. Investimet e huaja janë rritur me 15.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/vlera-e-investimeve-te-huaja-ne-prona-arrin-ne-gati-1-7-miliard-euro/)


Më të lexuarat