Secondary Adv

Kuvendi, 18 rekomandime per Banken e Shqiperise, miratohet rezoluta

Brenda një periudhe një vjeçare, Banka Qendrore duhet të plotësojë 18 rekomandime të përcaktuara nga Kuvendi. 

 

Është miratuar nga anëtarët e Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, draft-rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.

 

Gjatë fjalës së saj, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, listoi të gjitha rekomandimet lidhur me politikat monetare dhe stabilitetin financiar, duke u ndalur veçanërisht në anëtarësimin e vendit tonë në sistemin evropian të pagesave.

 

“Banka të monitorojë në vazhdimësi tregun e këmbimeve valutore dhe të reagojë në kohën e duhur ndaj çrregullimeve potenciale në funksionimin e këtyre tregjeve.

 

Të prioritizojë veprimet për anëtarësimin sa më parë të vendit në tregun unik të pagesave në euro, si pjesë e rëndësishme e angazhimit në drejtim të procesit të integrimit evropian që do të sjellë përfitime për ekonominë dhe do të nxisë zhvillimin e projektit Instant Payment.

 

Të vazhdojë zbatimin e masave, të ndërmarra në kuadër të paketës së deeuroizimit, si instrumente të nevojshme për zbutjen e rreziqeve potenciale që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit.”

 

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi hapësirat ekzistuese ligjore për institucionet financiare jo banka.

 

“Ne ndodhemi mbas një skandali, ku një grup shumë i madh qytetarësh që akoma nuk e dimë numrin, është përfshirë në të ashtuquajturin skandal të mikrokredive.

 

Nga analiza dhe dëgjesa që bëmë në këtë komision, ne kuptuam që ekziston një hapësirë ligjore për sa i përket disa elementëve që lidhen me menaxhimin e kësaj situate.

 

Ne besoj, kemi nevojë si parlament që të ndërmarrim një nismë, e cila mund të bëhet me një komision të veçantë ose mund të bëhet me një analizë të këtij komisioni, për të analizuar të gjithë bazën ligjore që sot ekziston.”/Burimi: Scan 


Më të lexuarat