Secondary Adv

Taksa mbi ndertesat, vendosen afate, Kadastra Fiskale do te jete gati ne fund te 2026

Kadastra fiskale e cila është element kyç për zbatimin siç duhet të ligjit për taksimin e pasurive, do të jetë gati në fund të vitit 2026. 

 

Në dokumentin e Strategjisë Sektoriale të  Menaxhimit të Financave Publike 2023–2030 të publikuar në Fletoren Zyrtare,  qeveria parashikon që  zbatimi i taksimit bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat, të nisë në fillim të vitit  2026, ndërsa kadastra fiskale pritet të finalizohet në fund të 2026-ës, çka mund të sjellë pengesa në këtë proces.

 

Konkretisht referuar dokumentit,  deri në fund të 2025-ës, parashikohet të përfundojë hartimi dhe miratimi i kuadrit ligjor (aktet ligjore dhe aktet nënligjore) për kadastrën fiskale, taksën mbi tokën dhe pasurinë e paluajtshme dhe aktin nënligjor për vlerësimin e tokës dhe pasurisë.

 

Ndërkohë, deri në 3 mujorin e parë të 2026-ës, parashikohet hartimi i kuadrit institucional për menaxhimin dhe administrimin e taksës mbi ndërtesën.

 

Ngritja e Sistemit Informativ të Kadastrës Fiskale (SIKF), ndërveprimit të tij me sistemet e tjera dhe shtrirja në bashki do të nisë vitin e ardhshëm dhe do jetë i përfunduar në fund të vitit 2026-të.

 

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe është parashikuar edhe pilotimi, ndërtimi i kapaciteteve dhe institucionalizimi i procedurave për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, popullimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave të pasurisë së paluajtshme në Sistemin Informativ të Kadastrës Fiskale (SIKF).

 

Paralelisht do të punohet me përmirësimin e proceseve për mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme dhe rritjen e ndërgjegjësimit të taksapaguesve. Për parcelat sistemi i ri i taksimit do të nisë në vitin 2028.

 

Reforma e fundit në fushën e taksës së pasurisë synon të rrisë të ardhurat për bashkitë, duke kaluar nga një sistem i taksimit të bazuar në çmimin mesatar të referencës për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë tatimor bazuar në sipërfaqen për tokën bujqësore dhe truallin,

 

në një sistem taksimi modern që takson edhe ndërtesat edhe parcelat, bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme.

 

Sfidë kryesore ka qenë krijimi i një baze të dhënash gjithëpërfshirëse të integruar të pasurive të paluajtshme.

 

Të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara do të vlerësohen në bazë të vlerës së tregut./Burimi: Scan


Më të lexuarat