Secondary Adv

Infrastruktura e celesave publike, tender rreth 5 mln euro per permiresimin

Infrastruktura e çelësave publikë që ka në thelb sigurinë për shërbimet elektronike në vend do t’i nënshtrohet përmirësimit.

 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi këtë të martë një procedurë prokurimi që ka në thelb këtë objektiv me një fond limit 499 milionë lekë apo rreth 5 milionë euro.

 

Në dokumentet që shoqërojnë procedurën sqarohet dhe qëllimi i kësaj ndërhyrje që parashikohet duke e përmbledhur në pesë pika.

 


Qëllimet e këtij projekti janë si më poshtë:

 

Përmirësimi i Performancës: Përmirësimi i hardware dhe software ekzistues për të rritur performancën dhe efikasitetin e infrastrukturës PKI, duke siguruar që ajo të përballojë me sukses sasinë e rritur të trafikut dhe të dhënave të procesuara.

 

Përmirësimi i Sigurisë: Përmirësimi i sistemit PKI për të adresuar të gjithë aspektet e sigurisë, duke përfshirë përditësimin e algoritmeve të enkriptimit, monitorimin e rreziqeve të sigurisë, dhe zbatimin e politikave të sigurisë më të rrepta për të mbrojtur infrastrukturën nga kërcënime të jashtme dhe të brendshme.

 

Përshkallëzimi dhe Fleksibiliteti: Përmirësimi i infrastrukturës PKI për të lejuar rritjen e lehtë të kapacitetit sipas nevojës, përmes përdorimit të teknologjive të virtualizimit dhe përshkallëzimit të burimeve për t’u përshtatur sipas nevojave.

 

Standardizimi dhe Kompatibiliteti: Sigurimi që infrastruktura PKI është e bazuar në standarde të njohura dhe është e kompatibël me aplikacionet dhe pajisjet e përdorura. Kjo do të sigurojë që të dhënat dhe certifikatat mund të vazhdojnë të përdoren në të njëjtën mënyrë si më parë.

 

Monitorimi dhe Menaxhimi i Performancës: Implementimi i një sistemi të monitorimit dhe menaxhimit të performancës për të identifikuar dhe trajtuar problemet ose bllokimet e mundshme në kohë reale dhe për të siguruar që infrastruktura PKI funksionon pa ndërprerje.

 

Infrastruktura e çelësave publikë është e lidhur direkt me vulat elektronike ku sipas të dhënave në portalin e-albania ofrohen 89 dokumente me vulë elektronike, një pjesë prej së cilave ofrohen vetëm elektronikisht, duke eliminuar tërësisht printimin e tyre në letër në sportelet fizike të institucioneve.

 

Për periudhën Shtator 2017 – Dhjetor 2023, janë gjeneruar mbi 30 milionë dokumente me vulë elektronike. Përdoruesit e shërbimeve elektronike janë institucionet publike, bizneset dhe individët.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/infrastruktura-e-celesave-publike-tender-rreth-5-mln-euro-per-permiresimin-2/)


Më të lexuarat