VKM, 133.5 mln euro per hekurudhen Vore-Hani Hotit, miratohen grantet per projektin
Në mbledhjen e qeverisë, u miratuan në parim dy vendime të cilat kanë në fokus jetësimin e projektit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.
Sipas VKM të publikuara, u miratua marrëveshja e grantit për asistencë teknike për linjën hekurudhore Vorë- Hani i Hotit si dhe zbatimi i projektit dhe mbikëqyrja e punimeve nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hekurudhës Shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Granti ka shumën 7.500.000 euro.
Ndërkohë vendimi i dytë i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me projektin për rehabilitimin e linjës së hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, është miratimi në parim të marrëveshjes së grantit ndëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hekurudhës Shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Granti i investimit nga Fondi i Përbashkët Europian për Ballkanin Perëndimor ka shumën rreth 126.000.000 euro.
Por çfarë është parashikuar për projektin hekurudhor?
Më herët zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka njoftuar se në projekt është parashikuar ndërtimi i 12 stacioneve hekurudhore si dhe një tuneli me gjatësi 320m si dhe ndërtimi i 112 urave.
Ndërkohë, me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks prej 2.3 milionë udhëtarësh në vit si dhe një volum mallrash deri në 900 mijë ton në vit.
Përsa i përket kohës së udhëtimit, është parashikuar që mesatarja të arrij në 2 orë nga Vora në Han të Hotit./Burimi: SCAN