Trajnimi i bizneseve, AIDA dhe GIZ nisin projektin me dy faza
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve së bashku me GIZ kanë nisur projektin që lidhet me “Rrijten e aftësive konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duke promovuar inovacionin dhe sipërmarrjen”.
Ky projekt ka nisur në ditët e para të korrikut dhe pritet që të vazhdojë deri në nëntor. Detajet i bëri të ditura AIDA duke vlerësuar se grupet e synuara janë trajnerët dhe ekspertët e biznesit, organizatat private, shoqata të shoqerisë civile, burrat dhe gratë në fazat e hershme të aktiviteteve te tyre sipermarrëse, që kanë në plan për të inovuar dhe investuar në shkallët më të larta biznesin e tyre.
Në fazën e parë që lidhet me “Trajnimin e Trajnerëve” janë 22 kandidatë dhe më pas këta të fundit do të trajnojnë sipërmarrësit. Faza e dytë do të ketë një shtrirje më të gjerë duke ju dhënë mundësinë për trajnim 120 kandidatëve nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në një trajnim sipermarrës të një shkalle më të lartë.Trajnimet do të zhvillohen në Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Gjirokastër dhe 15 më të mirët që do të përzgjidhen nga ky grup do të kenë mundësi të paraqesin planet e tyre të biznesit në fund të nëntorit për të marrë edhe mbështetjen nga GIZ.