I nxehti ekstrem, Kosova merr masat, nga sot nis reduktimi i oreve te punes
Deri në pikën e alarmit të kuq pritet që të arrijnë temperaturat në Kosovë gjatë fundjavës.
Për këtë shkak, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhëresë që nisur nga e shtuna, orari i punës të kufizohet për disa kategori të qytetarëve.
E për ata që i frekuentojnë sheshet e Prishtinës dhe kanë nevojë për trajtim shkaku i vapës, që prej katër ditësh janë vënë në dispozicion ekipe mobile mjekësh. Kosova ndodhet në prag të alarmit të kuq, shkaku i temperaturave të larta.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar të premten se gjatë fundjavës, temperatura e ajrit do ta mbërrijë deri në 38 gradë celsius, që është më e lartë sesa ajo trupore e njeriut, prej 37 gradë, e që mund të shkaktojë probleme serioze në organizëm.
Sipas njoftimit të institutit, të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara të cilat më prezente do të jenë në orët e mesditës.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-37 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 34-38 gradë Celsius”.
Për këtë shkak, Ministria e Shëndetësisë nxori vendim që nga e shtuna, orari i punës të kufizohet për disa kategori deri më 20 korrik.
“Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna, sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpia.
Qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar, deri në 4 orë në ditë. Ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapur gjatë orëve 11:00–17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Ministrisë.
Vendimi thotë se varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë korrikut dhe gushtit, do të merren masa të tjera.
“Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
E qytetarëve që i frekuentojnë sheshet e kryeqytetit dhe që kanë nevojë për trajtim mjekësor, që prej katër ditësh u janë vënë në dispozicion ekipe mobile të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Bujar Gashi, drejtor i QKMF-së në Prishtinë, tregoi se shërbime mjekësore në shesh kanë kërkuar deri në 100 qytetarë.
“E kemi parë të arsyeshme që për shkak të temperaturave të larta që të kemi edhe një pikë tjetër mobile në këtë pikë, ku jemi këtu, kur dihet se në sheshin e kryeqytetit lëvizin një numër i madh i qytetarëve edhe gjatë tërë ditës,
por edhe gjatë kohës së pauzës sa kanë që ta kryejnë, së paku të matin një tension, të matin një puls, të konsultohen me mjekët dhe infermierët që janë në këtë tendë, të marrin këshillat e duhura sa u përket temperaturave të larta të kësaj gjendjes që po mbizotëron”, ka thënë Gashi.
E mbërritjen e temperaturave ekstreme e paralajmëroi në fillim të javës Instituti Hidrometeorologjik.
“Jemi në dritën e verdhë sa u përket këtyre vlerave të larta të temperaturave, mirëpo në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijojë kushte edhe për alarm të kuq,
sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut (37 gradë të Celsiusit), atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”, thuhet në njoftim.
Si pasojë e valës së vapës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka rekomanduar qytetarëve që të pinë sasi më të shumta të ujit, të shmangin ekspozimin ndaj rrezeve të diellit në kohën e pikut të temperaturave dhe të përdorin krem për mbrojtje nga dielli./Burimi: Balkanweb