Ndryshojne rregullat per tenderat, percaktohen ofertat qe do kene perparesi
Qeveria synon të forcojë rregullat dhe të rrisë kontrollin sa i takon tenderave publikë.
Në strategjinë sektoriale të menaxhimit të financave publike 2023-2030, thuhet se do të synohet përmirësimi i cilësisë dhe eficiencës në procedurat e prokurimit, përmes përdorimit të kriterit te vlerësimit “Oferta ekonomikisht me e favorshme bazuar ne kosto”.
Po ashtu do të jetë në fokus hartimi dhe zbatimi i prokurimit publik të gjelbër. Masë e cila përfshin përgatitjen e metodologjisë për zbatimin e kritereve të prokurimit të gjelbër apo efiçencës së energjisë;
Zhvillimin dhe ofrimin e trajnimeve mbi prokurimin e gjelbër/efiçencën e energjisë për profesionistët e prokurimit; Rishikimin dhe ndryshimin e kuadrit rregullator, nëse do të jetë e nevojshme.
Nga ana tjetër synohet të ndërhyhet në rritjen e efiçencës të sistemit të shqyrtimit të ankesave duke rritur shpejtësinë e vendimmarrjes.
Për këtë qëllim do të merren masa për plotësimin e vendeve vakante në staf, kryerjen çdo vit e vlerësimit të nevojave për trajnim, zhvillimin dhe ofrimin e aktiviteteve të specializuara për ngritjen e kapaciteteve për inspektorët, përditësimin e sistemit elektronik të ankesave, zbatimin e sistemit kundër ryshfetit.
Paralelisht do të punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për koncesionet dhe partneritetin publik- privat. Të gjitha këto masa planifikohet që të bëhen të realizueshme deri në fund të vitit 2025.
Pak kohë më parë kryeministri Edi rama njoftoi se ministritë dhe institucionet e varësisë nuk do të kenë më të drejtë ta hapin tendera si dhe bëri me dije se nuk do ketë më tendera për blerje të vogla.
Sipas tij operatori i blerjeve të përqendruara po ndërton një katalog dixhital të blerjeve të vogla që të mos bëjnë tendera për çdo dërrasë të zezë, për çdo karrige apo tavolina zyre,
por të blejnë direkt nga katalogu, i quajtur “Albzonë” një lloj amazon i mallrave për të gjitha shërbimet mbështetëse të institucioneve, duke kursyer kohë, para dhe duke i mbyllur derën korrupsionit./Burimi: Scan