
Legalizimet, hapen aplikimet per vetedeklarimin e ndertimeve informale
Qeveria i ka hapur rrugën dje ALUIZINI-t të pranojë aplikime të reja për objektet që do të legalizohen. Ndonëse procesi i vetëdeklarimeve kishte përfunduar prej vitesh, dje është marrë vendimi ku të gjithë ata që kanë një banesë, e cila plotëson kriteret për tu legalizuar do të ketë mundësinë që të paraqesë vetëdeklarimin.
Pas vendimit të qeverisë do të jetë ALUIZNI që do të miratojë formularin e posaçëm ku çdo familjar, i cili nuk ka mundur që të bëjë deklarimin e pasurisë së tij, do të plotësojë të dhënat që i kërkohen. Më pas do të jenë inspektorët e këtij institucioni që do të bëjnë verifikimin në terren. Ku çdo individ që ka bërë një ndërtim në pronën e të tjerëve ka si kusht që objekti të jetë ndërtuar para janarit të vitit 2009. Ndërsa ky afat nuk është i vlefshëm vetëm për ata ndërtuesit që e kanë ngritur objektin në pronën e tyre.
Rregullat e reja per banesat qe do legalizohen
Qeveria ka vendosur rregullat e reja për miratimin e banesës që do të pranohet në procesin e legalizimit. Përcaktimi i ligjit, në të cilin thuhet se do të legalizohen të gjitha ndërtimet e ndërtuara para janarit të vitit 2009, tashmë është plotësuar dhe me rregullin e vërtetimit të këtij afati ligjor, ku do të përdoren si hartat e fotografuara por dhe dokumente të tjera faktike. Po ashtu, ALUIZNI do të ketë të qarta dhe rregullat e përcaktimit të një zonë informale. Ndërsa janë vetë ekspertët e këtij institucioni që me këtë vendim të ri do të zhvillojnë matjet në terren si dhe dhënien e vlerësimit përkatës.
Procedurat e reja për verifikimin në terren të ndërtimeve pa leje
Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t kryejnë evidentimin në terren dhe hartimin e dokumentacionit në bazë të gjendjes faktike të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtimet me leje, në vijim të quajtura “ndërtime informale”, sipas njësive strukturore të përcaktuara prej tyre, rast pas rasti.
Verifikimi përfshin:
a) Përditësimi i të dhënave të gjendjes ndërtimore të ndërtimeve informale;
b) Plotësimi i procesverbalit të konstatimit, sipas modelit të miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
c) Harta e përditësuar e ndërtimeve informale në formatin elektronik dhe “hard copy”, si dhe dokumentacioni teknik (genplan, planimetri).
Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese.
ç) Forma, mënyra e administrimit dhe afati kohor i plotësimit të deklaratës përcaktohen me udhëzim Artan Lames.
Për verifikimin në terren vlejnë:
a) Përdorimi i produktit të fotografimit ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, për periudhën kohore që ai mbulon.
b) imazhet satelitore ose ajrore të përdorimit të përgjithshëm, sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara nga subjektet disponuese.
c) Përdorimi i plan-rilevimeve në kuadër të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, të administruara nga zyrat e Hipotekës.
ç) Vërtetimi me mënyra alternative, nëpërmjet çdo dokumenti tjetër, juridikisht të vlefshëm, që provon ekzistencën e ndërtimit
Territori
Po ashtu është saktësuar dhe forma e përcaktimit të një zone informale. Ku veç legalizimeve përfshihet dhe procesi I urbanizimit si dhe e planifikimit të territorit. Në vendimin e marrë dje nga qeveria thuhet se “zonë informale do të konsiderohet territori me sipërfaqe mbi 2 hektarë, i zënë nga ndërtime informale, procesi i legalizimit të të cilave nuk u nënshtrohet kushteve të instrumenteve të planifikimit të territorit”.
Drejtoritë në varësi të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për propozimin e zonës informale, orientohen nga “evidentimi faktik i ndërtimeve informale në territorin përkatës; vija kufizuese administrative e njësive të qeverisjes vendore; morfologjia dhe kushtet e relievit; gjendja e pronësisë dhe cilësitë juridike të territorit. Ndërsa kërkohet që evidentimi në terren dhe hartimi i dokumentacionit në bazë të gjendjes faktike të ndërtimeve pa leje të realizohet rast pas rasti.
Më të lexuarat








