Secondary Adv

Fotovoltaiket, licencat e dhena ne prodhim arrijne rreth 470 MW

Energjia diellore duket se po rrit ndjeshëm peshën e saj në totalin e kapaciteteve të prodhimit në vend.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë licenca për prodhim në kapacitet rreth 470  MW.

 

Bëhet fjalë për projekte që janë në zbatim dhe që në vitet në vazhdim pritet të hyjnë në prodhim, duke ulur kështu varësinë e vendit ndaj “hidros” që vijon të mbetet dominues.

 

Projektet më të fundit për të cilin Enti dha licencimin ishin ditët e fundit për një impiant 100MW në zonën e Ballshit dhe një tjetër 10 MW në fshatin Allprenaj, njësia administrative Golem.

 

Në vend impianti më i madh fotovoltaik, ai i Karavastasë i dhënë nga qeveria përmes ankandit, ka filluar prodhimin teksa për Spitallën që gjithashtu është fituar nga e njëjta kompani, Voltalia, ministria bëri të ditur pak ditë më parë se po vazhdojnë punimet.

 

Prodhimi i energjisë nga impiantet fotovoltaikë ka një peshë modeste në raport me totalin. Në 4 muajt e parë fotovoltaikët në tregun e lirë prodhuan mbi 12.8 mijë MW kurse ata që kanë marrëveshje me Furnizuesin e Tregut të Lirë 19.5 mijë teksa prodhimi neto vendas ishte 3.1 milionë MW.

 

Pesha e fotovoltaikëve llogaritet në vetëm 1 për qind të totalit nga janari në prill 2024. Gjithsesi ky raport pritet të ndryshojë këtë vit kur janë një sërë projektesh që po hyjnë në prodhim.

 

Vetëm pak ditë më parë, qeveria shpalli 8 fituesit për ankandin hibrid të fotovoltaikëve ndërsa një ofertë u la rezervë. Oferta me çmimin më të ulët ishte 39.7 euro MWh ndërkohë që mesatarja për të gjithë ofertat ishte 51.3 euro dhe një kapacitet 283. 93 MWH.

 

Gjatë ankandit hibrid qeveria ka garantuar vetëm blerjen e energjisë për 15 vite ndërkohë që sigurimi i tokës ka qenë detyrë e vetë kompanive.

 

Kushti për pjesëmarrjen në ankand ka qenë për një kapacitet jo më të vogël se 10 MW dhe jo më të madh se 100 MW dhe me një çmim tavan prej 59.97 euro/MW.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fotovoltaiket-licencat-e-dhena-ne-prodhim-arrijne-rreth-470-mw/ 


Më të lexuarat