Bie numri i te vetepunesuarve ne vitin 2023, zene 29.7 per qind te peshes
Sipas vlerësimeve të INSTAT mbi tregun e punës, rezulton se për grupmoshën 15 vjeç e lart, 29.7% janë të vetë-punësuar dhe 21.3% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
“Scan Intel” ka marrë në analizë numrin e të vetëpunësuarve për të parë ndryshimet që ka shënuar kjo kategori në harkun kohor të një viti, por edhe për të analizuar karakteristikat e këtij grupi.
Sipas të dhënave, në vitin 2023 numërohen 393,603 persona të vetëpunësuar, nga rreth 408 mijë në vitin 2022. Pra, kemi një rënie të peshës së të vetëpunësuarve me 1.8 pikë përqindje, nga 31.5% në vitin 2022, në 29.7% në vitin 2024.
Nëse analizojmë karakteristikat e të vetëpunësuarve të grupmoshës 15-64 vjeç, të dhënat tregojnë se rreth 4.2% janë të vetëpunësuar me të punësuar kundrejt një page. Nga ana tjetër, 24.6% janë të vetëpunësuar pa të punësuar kundrejt një page.
Sa i përket punëtorëve pa pagesë në biznesin e familjes, shifrat flasin për një shifër prej 21.3% në vitin 2023, duke rënë krahasuar me vitin 2022.
Duke e analizuar tregun e punës në këndvështrimin gjinor, vihet se femrat kanë 1.4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Vlerësimet e marra nga anketa e INSTAT tregojnë se 27.2% e femrave të punësuara dhe 16.3% e meshkujve të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes.
Në vitin 2023, përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 26.2%, duke pësuar zbritje prej 2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022.
Pavarësisht se numri i të vetëpunësuarve ka rënë, sërish pesha e tyre në strukturën e punësimit mbetet e lartë. Në analizat e mëparshme të “Scan Intel” rezulton se Shqipëria ka normën më të lartë të vetëpunësimit në Europë.
Shqetësimet mbi këtë normë mund të lidhen me faktin se shumica nuk paguajnë sigurime shoqërore, duke reflektuar kështu më vonë në masën e pensionit./Burimi: Scan