Secondary Adv

OKB: Popullsia globale do te arrije kulmin brenda ketij shekulli

Popullsia botërore është në rrugën drejt kulmit, më herët se sa pritej këtë shekull.

 

Disa nga vendet më të mëdha të botës përballen me rënie të nivelit të lindjeve, sipas Kombeve të Bashkuara.

 

Sipas raportit për Perspektivat e Popullsisë Botërore të OKB, popullsia globale parashikohet të arrijë kulmin, rreth 10.3 miliardë njerëz në mesin e viteve 2080, nga 8.2 miliardë aktuale.

 

Pritet të bjerë gradualisht në 10.2 miliardë deri në vitin 2100 – 6% më e ulët se sa ishte parashikuar një dekadë më parë.

 

OKB-ja në vitin 2022 kishte vlerësuar se popullsia e botës, do të arrinte kulmin në 10.4 miliardë deri në vitet 2080.

 

“Në disa vende, niveli i lindjeve tani është edhe më i ulët se sa ishte parashikuar më parë, dhe ne po shohim gjithashtu rënie pak më të shpejtë në disa rajone me fertilitet të lartë”, tha në një deklaratë nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Li Junhua.

 

“Arritja e kulmit më herët është një shenjë shpresëdhënëse. Kjo mund të nënkuptojë ulje të presioneve mjedisore nga ndikimet njerëzore, për shkak të konsumit më të ulët agregat,” shtoi Li.

 

Mesatarisht në nivel global, gratë kanë një fëmijë më pak se në vitin 1990. Në më shumë se gjysmën e të gjitha vendeve, numri mesatar i lindjeve për grua ka rënë nën 2.1, që shënon nivelin e kërkuar për një popullsi, për të mbajtur një madhësi të qëndrueshme pa emigracion.

 

OKB-ja citoi se vende të tilla si Kina, Koreja e Jugut, Spanja dhe Italia kanë norma të lindshmërisë tepër të ulëta.

 

Që nga viti 2024, popullsia ka arritur kulmin në 63 vende duke përfshirë Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë. Popullsia totale e këtyre vendeve parashikohet të bjerë me 14% gjatë 30 viteve të ardhshme.

 

Megjithatë, në nëntë vende duke përfshirë Niger, Somali, Republika e Afrikës Qendrore dhe Republika Demokratike e Kongos, parashikohet “rritje shumë e shpejtë”, ku popullsia totale e këtij grupi do të dyfishohet midis 2024 dhe 2054.

 

Për 126 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indinë, Indonezinë dhe Pakistanin, popullsia pritet të arrijë kulmin në gjysmën e dytë të shekullit ose më vonë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/raporti-i-okb-popullsia-globale-do-te-arrije-kulmin-brenda-ketij-shekulli-me-renien-e-lindjeve/)


Më të lexuarat