Secondary Adv

Fitimi i kompanive te sigurimit ne 2023 arrin ne rreth 27 mln euro

Fitimet e tregut të sigurimeve arritën një rekord të ri për vitin 2023.

 

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rezultati financiar neto i tregut arriti vlerën e 2.76 miliardë lekëve ose 26.6 milionë eurove.

 

Krahasuar me një vit më parë, fitimi i siguruesve shqiptarë është rritur me pothuajse 70%.

 

Kthimi nga kapitali në nivel tregu u rrit në 15.99%, nga 11.92% që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet arriti në 5.46%, nga 3.74% që kishte qenë në vitin 2022.

 

Kontributin kryesor në rritjen e fitimeve e dha segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimit të Jo-Jetës. Statistikat tregojnë se kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës raportuan fitim neto në vlerën e 2.44 miliardë lekëve ose 23.5 milionë eurove (me kursin e fundit të vitit 2023).

 

Fitimi i tregut të Jo-Jetës u rrit me 69% krahasuar me vitin 2022.

 

Rritja e fitimeve u ndikua pozitivisht nga dyfishimi i rezultatit teknik, që lidhet direkt me aktivitetin sigurues, ndërsa rezultati final nga investimet ishte negative, për shkak të humbjeve që disa shoqëri të veçanta raportuan në zërin “fitime/humbje të tjera nga investimet”.

 

Rezultati teknik i tregut rezultoi më i lartë se rezultati final neto, në vlerën e 2.67 miliardë lekëve, me një rritje prej 76% krahasuar me vitin 2022.

 

Rritja e rezultati teknik erdhi në radhë të parë nga rritja e primeve të fituara neto nga siguruesit, që arritën në 16.67 miliardë lekë, në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë.

 

Edhe dëmet neto të paguara nga shoqëritë e sigurimit vitin e kaluar shënuan rritje, me 5.4% krahasuar me një vit më parë. Sidoqoftë, raporti i dëmeve neto (dëmet e ndodhura në raport me primet e fituara, neto nga risigurimi) vitin e kaluar ra në 33.72%, nga 34.8% që kishte qenë një vit më parë.

 

Por, një ndikim shtesë në rritjen e fitimeve të siguruesve duket se ka pasur rënia e shpenzimeve operative të kompanive. Shpenzimet operative neto të veprimtarisë ranë me 2.2% krahasuar me një vit më parë.

 

Efektin kryesor e ka dhënë ulja e shpenzimeve administrative dhe veçanërisht të atyre të lidhura me personelin.

 

Në një kohë kur pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë po përballen me rritjen e shpenzimeve për paga dhe të kostos së punës në tërësi, në sektorin e sigurimeve vitin e kaluar ka ndodhur e kundërta.

 

Raporti i shpenzimeve, që përfaqëson raportin midis shpenzimeve operative dhe shpenzimeve të tjera neto për sigurimet, kundrejt primeve të fituara neto, vitin e kaluar ra në 41.04%, nga 44.84% që kishte qenë një vit më parë.

 

Edhe kompanitë e sigurimit të Jetës arritën rritje të fortë të fitimit neto, në shumën e 323 milionë lekëve, gati 74% më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Ndikimin kryesor e dha rritja e rezultatit teknik me pothuajse 79% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rezultati nga zërat e tjerë dha edhe në këtë segment dha një ndikim negativ, duke e reduktuar disi shkallën e rritjes së rezultatit financiar neto.

 

Rritja e rezultati teknik dhe e fitimit të tregut të Jetës erdhi kryesisht rritja e primeve të fituara neto, me 19.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Paralelisht, edhe shpenzimet neto për dëme të paguara u rritën me 20% krahasuar me një vit më parë.

 

Ndërkohë, shpenzimet operative të kompanive vijuan të rriteshin edhe vitin e kaluar, si në segmentin e shpenzimeve të marrjes në sigurim, ashtu edhe në shpenzimet e tjera administrative.

 

Kompanitë e sigurimit të jetës vazhdojnë të kenë komisione të larta shitjeje, element që ka një ndikim të rëndësishëm në strukturën e shpenzimeve të tyre.

 

Për shoqëritë e sigurimit të Jetës, raporti i shpenzimeve neto u rrit më tej në 59.65%, nga 56.94% që kishte qenë një vit më parë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/fitimi-i-kompanive-te-sigurimit-ne-2023-arrin-ne-rreth-27-milione-euro/)


Më të lexuarat