Infrastruktura, tender rreth 2 mln euro per rrugen Fusha e Cajupit – Topove ne Libohove
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka parashikuar të ndërhyrje në rrugën e degraduar Fusha e Çajupit – Topovë në Bashkinë e Libohovës.
Projekti me një fond limit 199 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro, parashikohet të nisë zbatimin pas përzgjedhjes së kompanisë fituese në një procedurë prokurimi të çelur së fundmi ku në objekt të kontratës parashikohet
“Nxitja e ndërveprimit dhe frymës komunitare, gjallërimi i jetës socio-kulturore në zona me potencial zhvillimi nëpërmjet rijetëzimit të aseteve publike: Asfaltimi i rrugës Fusha e Çajupit – Topovë, Bashkia Libohovë” .
Rruga është rreth 9 kilometra e gjatë.
“Ky segment rrugor shërben për kalimin e banoreve, transportit urban dhe lidh fshatrat e zonës së Zagorisë me Libohovën, Përmetin, Dropullin dhe Gjirokastrës.
Me ardhjen e stinës së dimrit ky segment krijon problem për lëvizjen e banorëve të këtyre zonave për arsye të rrëshqitjes së materialeve inerte anësore dhe deformimit të trupit të rrugës.
Në segmentin e sipërpërmendur nuk ka shtresa dhe nënshtresa të trupit të rrugës, kryesisht traseja e rrugës është shtruar / niveluar me materialin e terrenit përreth.
Gjendja e rrjetit rrugor është shumë e amortizuar, pa pikë ndërhyrjeje këtu e shumë vjet, i cili sjell si pasojë që aksesi në këtë pjesë të Bashkisë Libohove të jetë shumë i vështirë.
Rruga ekzistuese është në gjendje të rënduar ku mungojnë thuajse plotësisht shtresat rrugore” thuhet në dokument.
Sipas FSHZH qëllimi i ndërhyrjes është që të bëhet ndërhyrje për rehabilitimin sipas standardeve që kërkon një rrugë, për ofrimin e një lëvizjeje më të sigurte dhe më të shpejtë të mjeteve si dhe për lidhjen e fshatrave të kësaj njësie me territorin tjetër të Bashkisë Libohovë si dhe Bashkive në kufi Gjirokastër dhe Dropull.
Në dokumente nënvizohet se përmirësimi i kushteve të lëvizjes për të gjithë përdoruesit e rrugës.
“Rritjen e jetëgjatësisë së rrugëve. Punimet për rikonstruksionin e rrjetit rrugor, fillojnë nga Fusha e Çajupit (Burimi i Bratit) dhe vazhdojnë përgjatë segmentit rrugor deri në fshatin Topovë.
Segmentet që janë zgjedhur për rikonstruksion janë ato që janë në gjendje shumë të keqe” vlerëson FSHZH.