
Shpenzimet: Financat kursejne gjithandej, edhe tek investimet
Teksa topi, se cili e ka fajin për mosrealizimin e investimeve kur fondet janë aty, kalon nga një institucion në tjetrin, shumë nyje të rëndësishme kombëtare kanë mbetur të pambylluara dhe ekonomisë i munguan 34 milionë euro, që ishin planifikuar për t’u shpenzuar në rrugë, shkolla, spitale, ujësjellësa etj.
Për 6 muajt e parë të vitit, ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore kanë shpenzuar për paga personeli, interesa borxhi, subvencionimin e pensioneve, investime kapitale (për rrugë etj) e të tjera rreth 180 miliardë lekë (rreth 1.3 miliardë euro). Kjo shumë është 8% (15 miliardë lekë) më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 22 miliardë lekë më pak se ajo që ishte planifikuar për t’u shpenzuar në fillim të vitit.Sipas tabelës fiskale të Ministrisë së Financave, është kursyer në të gjitha zërat, që janë jo vetëm më poshtë se plani, por në pjesën më të madhe edhe më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të vetmet zëra që janë rritur në raport me vitin e kaluar kanë qenë shpenzimet për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, që janë zgjeruar përkatësisht me 4% dhe 8%, teksa buxheti vijon të subvencionojë skemën deficitare të pensioneve. Skema e re e pensioneve nuk ka ndihmuar uljen e kësaj barre në buxhet, përkundrazi, pesha e subvencioneve për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore u rrit në 38% të totalit të shpenzimeve buxhetore për 6 mujorin 2016, nga 34% që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse shpenzimet në këto zëra ishin gjithsesi më pak se plani i fillim vitit.
Në raport me planin, kursimet më të mëdha kanë ardhur tek shpenzimet korente, që ishin 15 miliardë lekë më pak se plani, kryesisht ato operative, për interesa, për buxhetin vendor dhe sigurime.
Problematik vijon të jetë niveli i ulët i shpenzimeve kapitale, të cilat ishin 18.3 miliardë lekë (130 mln euro), me një rënie prej 12% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 4.8 miliardë lekë (34 mln euro) më pak se plani. Shpenzimet kapitale janë një nga mjetet direkte që ka në dorë qeveria për të nxitur ekonominë, përmes injektimit të likuiditetit. Në 6 muajt e parë të vitit janë realizuar vetëm 30% e totalit të shpenzimeve kapitale, të parashikuara për gjithë vitin, ku përqindjen më të lartë e zë financimi i brendshëm (35%) dhe 27% është realizimi i investimeve të planifikuara me financim të jashtëm. Teksa topi, se cili e ka fajin për mosrealizimin e investimeve kur fondet janë aty, kalon nga një institucion në tjetrin, shumë nyje të rëndësishme kombëtare kanë mbetur të pambylluara dhe ekonomisë i munguan 32 milionë euro, që ishin planifikuar për t’u shpenzuar në rrugë, shkolla, spitale, ujësjellësa etj.
Me të ardhurat që ishin 198 miliardë lekë (me rritje 8.7% me bazë vjetore) dhe shpenzimet që zbritën në 180 miliardë lekë për 6 mujorin, financat rezultuan me suficit buxhetor prej rreth 18 miliardë lekë, duke lehtësuar në këtë mënyrë barrën e borxheve. Ministria e Financave është angazhuar që të dalë më suficit primar këtë vit (deficit duke përjashtuar shpenzimet për interesa), por nëse vijohet me këto ritme, ato mund të rezultojnë me suficit në total në 2016-n.
Më të lexuarat








