45 minuta rruga Shkoder-Tirane, se shpejti kontratat per akset e reja te Korridorit Blu
Së shpejti pritet të lidhen kontratat për ndërtimin e akseve të reja rrugore si pjesë e Korridorit Blu.
Akset rrugore do të sigurojnë lidhjen më të shpejtë të Shkodrës me Tiranën dhe jugun e vendit.
Gjatë konkursit ndërkombëtar të arkitekturës, ku 5 studio të mirënjohura europiane po prezantojnë përpara jurisë projekt-idetë për Rozafën e re, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit,
Rama deklaroi se në vazhdën e këtij investimi do të jetë edhe ndërtimi i një rruge të re që do të bëjë të mundur që koha e udhëtimit nga Shkodra në Tiranë, të jetë vetëm 45 minuta.
“Për të gjitha këto, ne i kemi të qartë edhe hapat edhe në ndërkohë një pjesë të rëndësishme të punës për projektet e kemi bërë dhe për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet me poshtë nga Thumana në Kashar tanimë e kemi,
nga Kashari pastaj në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën,
brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën,
pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë, megjithëse sot koha është me e shkurtër në fakt se lidhja me Tiranën, se e provova dhe vetë dhe kështu me radhë me të gjitha projektet e tjera.”
Ndër të tjera, Rama shtoi se sfidë aktuale mbetet ndërtimi deri në Murriqan i Korridorit Blu.
“Patjetër që duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhjeje shumë të shpejtë dhe shumë të sigurt të Shkodrës qoftë me veriun lart, qoftë me Tiranën dhe me jugun,
kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë në aksin Thumanë-Kashar,
por që do të vazhdojë me segmente të tjera që do lidhin praktikisht Balldrenin me Milotin, Milotin me Murriqanin dhe sigurisht edhe pastaj Balldrenin me Thumanën.” /Burimi: Scan TV