Secondary Adv

Amfiteatri dhe shkallaret ne liqenin e Paskuqanit, projekti do te kushtoje 1.7 mln euro

Projekti për “Ndërtimin e amfiteatrit, fushave sportive, këndit të lojërave dhe shkallareve panoramike në liqenin e Paskuqanit” duket se ka kaluar në një etapë të re, për të nisur me zbatimin konkret.

 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se ka lidhur kontratën me bashkimin e operatorëve UDHA dhe Ndregjoni që ishin fituesit e procedurës së çelur në muajin maj, me fond limit 230 milionë lekë, apo rreth 2.3 milionë euro.

 

Oferta fituese e kompanisë ishte 146 milionë lekë apo rreth 1.4 milionë euro pa përfshirë TVSH-në. Bashkë me këtë të fundit, vlera e kontratës llogaritet në 1.7 milionë euro. Kohëzgjatja e zbatimit të projektit është 8 muaj.

 

Sipas dokumenteve që shoqërojnë këtë procedurë, zona në të cilën do të ndërhyhet ka qenë pjesë e ujëmbledhësit të liqenit të Paskuqanit dhe nuk ka pasur asnjë lloj vepre urbane apo infrastrukture të ndërtuar.

 

Dy vitet e fundit zona është kthyer në një zonë rekreacionale me investimet e Bashkisë së Kamzës. I njëjti raport specifikon se cilat janë investimet që janë parashikuar të kryhen në këtë zonë.

 

Investimet që do të kryhen

 

Plani arkitektonik për këtë hapësirë të përbashkët do të përfshijë një integrim të harmonizuar të të gjitha elementeve, duke përdorur dizajn modern dhe materiale cilësore për të krijuar një ambient tërheqës dhe funksional.

 

Projekti ka adresuar aktivitetet si me poshtë:

 

Zona e Amfiteatrit: Amfiteatri do të vendoset në një pozicion qendror, i orientuar drejt liqenit për të ofruar një pamje spektakolare për performancat dhe ngjarjet artistike.

 

Struktura e amfiteatrit do të ketë një skenë të përshtatshme dhe shkallare të organizuara në nivele të ndryshme, duke përmirësuar pamjen nga çdo kënd. Materialet do të jenë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për ambientin natyror, siç janë druri dhe gurët e pjekur.

 

Shkallare Panoramike: Shkallarja panoramike do të integrohet në terren në anën tjetër të liqenit për të përfshirë një udhëtim të përshtatshëm drejt një pikë të lartë panoramik. Nivelet e shkallares do të ofrojnë ambiente të uljes dhe të qeta për të shijuar pamjen dhe relaksimin.

 

Shëtitore Buzë Liqenit: Shëtitoret do të ndërtohen duke përdorur materiale të qëndrueshme dhe do të lidhin të gjitha elementët përmes një rrugëtimi të përshtatshëm për ecje. Në pjesët e shëtitoreve mund të vendoset ndriçim për të siguruar përdorim të këtij hapësire edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

 

Këndi i Lojërave: Zona e këndit të lojërave do të vendoset në një zonë të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët. Struktura e lojërave do të përfshijë elemente të sigurta dhe argëtuese për zhvillimin e aftësive motorike dhe kreativitetin e fëmijëve.

 

Fushat Sportive: Fushat sportive do të vendosen në një pjesë të konsoliduar të hapësirës, duke përfshirë fushe futbolli, basketbolli, dhe zona për sporte të tjera.

 

Çdo fushë do të ketë ambientin e saj të uljes dhe do të përdorë materiale sportive të cilat janë të sigurta dhe miqësore për lojtarët.

 

Ky plan arkitektonik synon të krijojë një hapësirë tërheqëse, e cila ofron një kombinim të shkëlqyer të arteve, lojërave, natyrës dhe sportit për të gjithë komunitetin.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/amfiteatri-dhe-shkallaret-ne-liqenin-e-paskuqanit-do-te-kushtoje-1-7-milione-euro/)


Më të lexuarat