Secondary Adv

Sejko: Anetaresimi ne SEPA ndihmon luften ndaj pastrimit te parave

Anëtarësimi në zonën gjeografike të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA) mund të ndihmojë edhe në parandalimin e pastrimit të parave.

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot Komisionin Kuvendor për Çështjet Europiane se një përfitim i rëndësishëm që vlerësohet se do të sjellë anëtarësimi në SEPA, krahas formalizimit të ekonomisë, është dhe mundësia e një zbatimi më rigoroz të parandalimit të pastrimit të parave.

 

“Më konkretisht, shkurtimi i ciklit të pagesave dhe përfshirja e më pak aktorëve në këtë proces krijojnë mundësinë e një monitorimi më efektiv nga ana e organeve ligjzbatuese.

 

Për më tepër, praktikat dhe standardet e funksionimit të skemave SEPA, për shkak të një standardi komunikim më të avancuar (ISO 20022), krijojnë parakushtet e nevojshme që monitorimi i transaksioneve të bëhet më efikas,” tha Sejko.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, një nga pikat më delikate në aplikimin për në SEPA është pajtueshmëria ligjore në drejtim të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit. Dalja e Shqipërisë nga “lista gri” vitin e kaluar, hoqi një barrierë që pengonte plotësimin e kritereve për aplikim.

 

Sejko tha se, përtej rëndësisë politike në kuadër të integrimit europian të vendit, pjesëmarrja në SEPA ka një sërë përfitimesh të konsiderueshme për konsumatorin, bizneset dhe ekonominë shqiptare.

 

“Ajo ofron pagesa ndërkufitare në Euro me të njëjtat kosto si ato brenda vendit. Kjo përkthehet në pagesa më të lira dhe më të shpejta me vendet e anëtare të SEPA-s.

 

Aktualisht transfertat dhe pagesat me vendet e BE-së dhe anasjelltas kryen nëpërmjet bankave korrespondente – një kanal i kushtueshëm dhe jo efikas ky, në terma të kohës së ekzekutimit të transaksionit, monitorimit e finalizimit të tij, transparencës së kushteve të punës dhe mbrojtjes së konsumatorit.

 

Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare është minimalisht 5 herë më e ulët.

 

Kjo do të ketë ndikim domethënës, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e transaksioneve financiare ndërkufitare kryhet me vendet e BE-së – rreth 58% e tregtisë së mallrave.

 

Njëkohësisht, këto vende sigurojnë mbi gjysmën e stokut të Investimeve të Huaja Direkte,” tha Guvernatori.

 

Sipas tij, përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve paraprake, mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim.

 

Më konkretisht, duke u bazuar në eksperiencën e sistemit AIPS Euro – nëpërmjet të cilit Banka e Shqipërisë që nga fillim i operimit në janar të vitit 2022, i ka kursyer tregut shqiptar rreth 50 milionë euro – vlerësohet se impakti i anëtarësimit në SEPA do jetë dhe më i gjerë.

 

Në parim, të dy projektet synojnë të reduktojnë komisionet e pagesave, megjithatë AIPS Euro ka si fokus pagesat në Euro brenda vendit, ndërkohë SEPA do të ndikojë pagesat ndërkufitare.

 

Duke qenë se volumet e transaksioneve ndërkufitare janë shumëfish i atyre vendase për shkak të turizmit, tregtisë dhe ndërveprimit të ngushtë që kanë qytetarët evropianë dhe ata shqiptarë, baza e impaktit është shumë më e gjerë dhe adreson komisionet e larta që aplikoheshin për këto lloje pagesash nga bankat.

 

“Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e më tejshëm të marrëdhënieve tregtare me të.

 

Duke lehtësuar kryerjen e transaksioneve, bizneset shqiptare kanë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës, duke i siguruar partnerët evropianë se do të marrin të njëjtin trajtim si brenda BE-së.

 

Pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar – edhe kjo e fundit anëtare e SEPA-s. Lehtësitë që sjell SEPA do të nxisin përdorimin e kanaleve zyrtare për transfertat e remitancave, përpos rritjes së vlerës së kursimeve.

 

Pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria. Si rregullator i tregut të pagesave, ky është një objektiv i dëshiruar për Bankën e Shqipërisë.

 

Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu pagesash më bashkëkohor, në përputhje me politikat evropiane.

 

Ai ndihmon konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare,” shtoi Guvernatori.

 

Sipas tij, përdorimi i pagesave SEPA pritet të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve, sa i përket mënyrave të kryerjes së pagesave elektronike dhe shërben si instrument edukues dhe mbështet zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës.

 

Me miratimin e përfshirjes së Shqipërisë në zonën SEPA, institucionet e pagesave duhet të anëtarësohen individualisht për të marrë pjesë në skemat e saj./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sejko-anetaresimi-ne-sepa-ndihmon-luften-ndaj-pastrimit-te-parave/


Më të lexuarat