Firmoset marreveshja per ndertimin e parkut te pare eolik ne Shqiperi
Shqipëria ka firmosur marrëveshjen me kompaninë austriake, Verbund AG, për ndërtimin e parkut të parë eolik në vend.
Pas përmbylljes së ankandit, marrëveshja u firmos nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku u shpreh se së shpejti do të firmosen edhe dy kontrata të tjera të cilat plotësojnë sasinë maksimale të përfituar nga ankandi i zhvilluar për ndërtimin e parkut eolik.
Lajmi është bërë i ditur nga zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale.
“Firmosëm sot me Verbund AG, kompaninë austriake, marrëveshjen për ndërtimin e parkut të parë eolik në Shqipëri, i arritur përmes ankandit të zhvilluar, i cili u përmbyll me sukses të plotë pak kohë më parë.
Së shpejti do të firmosim edhe dy kontratat e tjera të cilat plotësojnë sasinë maksimale të përfituar nga ky ankand”, shkruan Balluku në Facebook.
Ministria ka dhënë disa licenca deri më tani për ndërtimin e parqeve eolike, që do të shfrytëzojnë erën për të prodhuar energji elektrike nëpërmjet turbinave.
Këto parqe pritet të ndërtohen në disa zona të ndryshme të Shqipërisë./Burimi: SCAN