Secondary Adv

Prokuroria e Tiranes kerkon sekuestrimin e shoqerive MCA dhe Final

Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se ka kërkuar vendosjen e sekuestros preventive mbi aksionet dhe të gjitha asetet e tjera të shoqërive Micro Credit Albania dhe Final.

 

Micro Credit Albania dhe Final akuzohen për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, ndërsa mbi Final rëndon edhe akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të kryer në bashkëpunim.

 

Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se shoqëritë MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperteje vlerësuese,

 

duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetit të tyre (aktivitetit të blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

 

Prokuroria i akuzon shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);

 

kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme (dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;

 

kanë përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;

 

kanë kryer sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor; kanë kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur dhe kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA,

 

pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

 

Prokuoria vlerëson se të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta,

 

duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.

 

Si rrjedhojë, shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në dhjetëra milion euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

 

Nga analiza e Prokurorisë, rezulton se janë administruar të dhëna të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i arsyeshëm se pasuritë e shoqërive të sipërcituara  janë produkt i veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”,

 

e për rrjedhojë krijohen dyshime se disponomi i këtyre pasurive mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale, si dhe konsiderohen  pasuri që duhet të konfiskohen.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/prokuroria-e-tiranes-kerkon-sekuestrimin-e-shoqerive-mca-dhe-final/)


Më të lexuarat