Hotelet, te huajt mbajne ne kembe turizmin, jo-rezidentet u rriten me 63 per qind ne maj
Vizitorët jo-rezidentë në strukturat akomoduese në vend u rritën me 63 për qind në maj 2024, krahasuar me majin e një viti më parë.
Shifrat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave për strukturat akomosuese reflektojnë edhe një herë ecurinë pozitive të turizmit në 5 muajt parë të vitit, ende pa nisur “ngadalësimi” që operatorët turistikë raportuan për qershorin dhe fillimin e korrikut.
Në total, jo-rezidentët kanë shënuar një numër mbi tre herë më të lartë sesa prania e rezidentëve. Kjo tendencë konfirmohet edhe nga tur-operatorët edhe për qershorin dhe korrikun ku vendasit po zgjedhin të pushojnë jashtë në një pjesë të mirë të rasteve.
Sipas INSTAT numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 45,8%, në krahasim me Maj 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 12,9%; numri i vizitorëve jo-rezidentë është rritur me 63,2%.
I njëjti publikim nënvizon se numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 30,9%, në krahasim me Maj 2023. Treguesit e mëposhtëm ndjekin këtë ecuri: numri i net-qëndrimeve nga rezidentët ka rënë me 2,0%; numri i net-qëndrimeve nga jo-rezidentët është rritur me 47,1%.
Kryesisht vizitorët janë vendosur në rajonin qendër ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani ku është edhe rritja më e madhe e jo-rezidentëve.
“Gjatë muajit Maj 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 45,8%, krahasuar me Maj 2023. Numri i vizitorëve jo-rezidentë, të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 84,0%.
Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 42,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezidentë në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 62,2%”, thuhet në dokument.
INSTAT vlerëson se në muajin Maj 2024, numri më i lartë i vizitorëve rezulton: sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (54,9%); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (50,2%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,3%).
Fluksi më i lartë i vizitorëve ka rritur automatikisht edhe netqëndrimet në total në strukturat akomosuese në vend. Gjatë muajit Maj 2024, numri i net qëndrimeve gjithsej është rritur me 30,9% në krahasim me muajin Maj 2023.
Numri i net qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 63,8%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 39,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Numri i net qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 46,0%.
Në muajin Maj 2024, numri më i lartë i net qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (55,0%); •sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (55,8%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,6%).
INSTAT vlerëson se ka një rritje edhe në normën neto të shfrytëzimit të dhomave dhe shtretërve në vend. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 25,1%, kundrejt 18,7% që ishte në muajin Maj 2023.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 25,9%, kundrejt 21,1% që ishte në muajin Maj 2023.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/hotelet-te-huajt-mbajne-ne-kembe-turizmin-jo-rezidentet-u-rriten-me-63-ne-maj/)