Koncesioni i kalon shtetit, Mete: Do ulim koston e pullave fiskale per bizneset
Mallrat e pajisura me pullë fiskale siç janë pijet alkoolike dhe produktet e duhanit, pritet të kushtojnë më lirë për qytetarët shqiptarë.
Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar projektligjin për ndryshime në ligjin e akcizave, ku është vendosur që të mbyllet kontrata me kompaninë koncesionare që ofronte këtë shërbim dhe t’i besohet një person juridik publik.
Ministri i Financave, Ervin Mete ka sqaruar se ky koncesion ka qenë i kushtueshëm dhe do të rishikohet kosto e pullave fiskale për bizneset.
“Në vlerësimin tonë kjo ka qenë një kontratë e kushtueshme për bizneset dhe besojmë se duhet të jetë me një çmim pullash më të ulët nga ky që aplikohet sot.
Do të ketë një analizë e kujdesshme, por mund ta shpreh që ka qenë koncesion i kushtueshëm” deklaroi Mete.
Deputetët kanë sugjeruar që të aplikohen pulla digjitale, të cilat ulin ndjeshëm kostot për bizneset. Në përgjigjen e tij, Ministri Mete theksoi se edhe kjo është një alternativë që do të shqyrtohet.
“A ka alternativa të tjera se si mund të realizohen me pullë dixhitale në të ardhmen? Po ka dhe do të vlerësohen, por sot që flasim jemi të kushtëzuar nga një kontratë koncesionare. Ka parashikime se çfarë duhet të dorëzohet.
Ky proces i marrjes në dorëzim kërkon vëmendjen e duhur, po ndiqet nga një grup i gjerë në mënyrë që edhe çështje të mundshme që mund të lindin nga ky proces mund të trajtohen në mënyrën e duhur” deklaroi Mete.
Aktualisht çmimi i aplikuar që i paguhet kompanisë koncesionare “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, për produktet duhanit është 20 euro/1 mijë copë, duke përjashtuar këtu TVSH-në dhe taksat e tjetra.
Për alkoolin, pulla e akcizës kushton 32 euro për 1 mijë copë dhe për birrën 22 euro për 1 mijë copë./Burimi: Scan TV