Lumi Lana, rehabilitim nga Pallati me Shigjeta ne Kashar, hapet tenderi
Lumi Lana, në gjatësinë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar do t’i nënshtrohet rikualifikimit urban.
Objekti i punimeve do të përfshijë prishjen dhe pastrimin e banesave informale dhe strukturave të tjera të ulta, rregullimin e një gjatësie prej 1.8 km të lumit, ndërtimin e bulevardeve, duke përfshirë shtigje të dedikuara për çiklistët dhe këmbësorët, në të dyja anët e lumit, si dhe ndërtimin e dy urave për këmbësorë me trarë çeliku.
Po ashtu, projekti përfshin ndërtimin e rrjeteve të tubacioneve për ujërat e shirave dhe ujërat e ndotur, sistemet e vaditjes, të ndriçimit, etj.
Projekti zbatohet nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që kontrata financohet përmes një kredie të marrë pak vite më parë nga Banka Evropiane e Investimeve.
Më herët nga Bashkia e Tiranës është bërë me dije se nga zbatimi i këtij projekti do të preken 24 banesa, që disponojnë certifikatë pronësie, si dhe 211 struktura që nuk kanë dokumente pronësie.
Po ashtu, projekti përfshin edhe 9 struktura të tjera dhe 71 parcela tokash, që në kohën e prezantimit të projektit ishin në proces verifikimi.
Sipas tenderit, punimet do të zgjatin 36 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës me kompaninë që do të shpallet fituese./Burimi: Scan