
Rruga e Arbrit, Shqiperia dhe Kina drejt marreveshjes per financim
Qeveria shqiptare dhe ajo kineze janë në prag të përfundimit të një marrëveshje për financimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një interviste për radion e jashtme kineze ‘CRI’. Kina është e gatshme të importojë më shumë produkte cilësore bujqësore dhe minerare nga Shqipëria dhe përkrah pjesëmarrjen e kompanive kineze në ndërtimin e infrastrukturës shqiptare, veçanërisht në ndërtimin e autostradës që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Rama është shprehur se për ndërtimin e 'Rrugës së Arbrit' ka biseduar me homologun kinez Li Keqiang, me të cilin zhvilloi një takim zyrtar ditën e djeshme. Takimi i dy kryeministrave u zhvilluan në Tianjin, ku të dy udhëheqësit ndodheshin për të marrë pjesë në Forumin Veror Ekonomik të Davosit. Ndër të tjera Rama theksoi gjithashtu se qeveria kineze ka paraqitur interes edhe në sektorë të tjerë të infrastrukturës si ai për projektin e hekurudhës shqiptare, “Korridorin e Kaltër” si dhe portin e “Shëngjinit”.
Gjithashtu qeveria kineze do të financojë 10 milionë juan ose 126 mijë euro për të arsimin në Shqipëri. Mësohet se kjo është një dhuratë e qeverisë kineze për transformimin e mësimdhënies përmes inovacionit në vendin tonë. Gjatë takimit mes kryeministrave të dy vendeve janë diskutuar gjithashtu ehde projekte për zhvillimin e bujqësisë dhe peshkimit, por deri tani nuk është bërë publik ndonjë marrëveshje konkrete midis dy qeverive..
Gjatë takimit me homologun e tij kinez Li Keqiang, kryeministri mori garancinë e Pekinit për të ndërtuar një autostradë që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë. "Kina dhe Shqipëria do të punojë për të bërë përparime në projekte të mëdha, duke nxitur ndërtimin e autostradës që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë në mënyrë të veçantë", tha Li. Li Keqiang vlerësoi miqësinë tradicionale mes Shqipërisë dhe Kinës dhe e cilësoi vizitën e homologut shqiptar si një mundësi për përmirësimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe për të promovuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Më tej kryeministri kinez deklaroi se sektori i energjisë, bujqësisë dhe infrastrukturës do të jenë prioritetet e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai tha se Kina është e gatshme të importojë produktet bujqësore dhe minerare nga Shqipëria për të mbështetur ndërmarrjet kineze, si dhe angazhimin në zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri. Nga ana tjetër kryeministri Rama tha se të dy vendet kanë gëzuar marrëdhënie të shëndosha, dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar miqësinë tradicionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Kinën. Ai përshëndeti investimet e sipërmarrësve të shumtë kinezë në Shqipëri, dhe premtoi lehtësimin e transaksioneve të tilla.
Energjia, nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit
Shqipëria dhe kompania shtetërore kineze kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për sektorin e energjisë. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, i cili po shoqëron kryeministrin Rama në Kinë, ka firmosur bashkëpunimin me kompaninë energjetike “Power China”, së bashku me drejtorin ekzekutiv të saj. Kjo kompani zotëron rreth 50% të tregut botëror të hidroenergjisë, e listuar me AAA. Për nënshkrimin e memorandumit, mësohet se është është punuar rreth gjashtë muaj. Sipas mediave kineze memorandumi është nënshkruar gjatë bisedës së dy kryeministrave, të cilët kërkuan zbatimin sa më parë të tij. Memorandumi u firmos nga ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri dhe Zhang Jianyue, drejtor ekzekutiv i kompanisë Powr China Chengdu Engineering Corporation Limited.Të martën në mbrëmje Power China e mirëpriti delegacionin qeveritar shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, të udhëtonte me trenin e shpejtësisë së lartë të linjës Pekin – Tianjin. Kjo hekurudhë është ndërtuar nga Power China.
Më të lexuarat









