Ekonomia rritet me 2.96 perqind, INSTAT publikon treguesit
Instituti i Statistikave njoftoi se ekonomia shqiptare u rrit me 2.96 përqind në tremujorin e parë të vitit. Drejtorja e INSTAT Mirela Muça listoi degët kryesore prej nga erdhi rritja.
“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si tregti, hotele, restorante dhe transporti me 0,85 pikë përqindje, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0,60 pikë përqindje, ndërtimi me 0,55 pikë përqindje”, deklaroi drejtorja e Përgjithshme e INSTAT, Mirela Muça.Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike vazhdon të udhëhiqet nga rigjallërimi i investimeve.
"Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 7,33 përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015", u shpreh Mirela Muça."Për ndërtimin janë ato subjekte që ndërtojnë kryesisht vepra publike”, sqaroi Etugert Llazi nga INSTAT.Por edhe konsumi privat është rikthyer në territor pozitiv, pas rënies që shënoi vitin e kaluar.
“Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e parë 2016 u rrit me 1,42 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015. Konsumi final i qeverisë, në tremujorin e parë 2016 u ul me 0,39 %”, thotë Muça.Qeveria dhe FMN parashikojnë që këtë vit rritja ekonomike të jetë 3.4 përqind, ndërsa Banka e Shqipërisë ka një projeksion më të përmbajtur, rreth nivelit 3 përqind.