Secondary Adv

Detyrimet, 4 bashki thellojne borxhin: Kavaja rekord, arrin ne 818 mln leke

Pushteti vendor zhytet më thellë në borxhe kryesisht për shkak të investimeve që po bëjnë pa pasur fonde në dispozicion.

 

Ministria e Financave thotë se detyrimet e papaguara të bashkive u rritën me 660 milionë lekë krahasuar me vjet. Rekordi i takon Kavajës me 818 milion leke detyrime. Në vështirësi Durrësi e Vora.

 

Bashkitë po i bëjnë investimet e tyre pa pasur fonde në dispozicion duke u zhytur edhe më thellë në borxhe.

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pushteti vendor në fund të muajit mars kishte 5.5 miliardë lekë detyrime të papaguara ose 662 milionë lekë më shumë se në fund të vitit të kaluar.

 

Rritja e borxheve ka ardhur vetëm si shkak i investimeve dhe shërbimeve të papaguara. Konkretisht në fund të marsit bashkitë kishin 2.8 miliardë lekë të papaguara për investime nga afro 2.2 miliardë lekë që ishte vlera në fund të vitit 2023.

 

Po ashtu janë zgjeruar borxhet për shërbimet e marra nga 61 njësi të pushtetit vendor, të cilat kanë arritur në 635.2 mln lekë. Më pas janë vendimet gjyqësore kryesisht prej largimeve të padrejta nga puna me 385.4 mln lekë detyrime.

 

Bashkitë me stokun më të lartë të borxhit janë Tirana me 1.1 miliardë lekë, gjysma për investime të kryera dhe të papaguara. Por vlera e borxhit për këtë bashki nuk e vë atë në rrezik për shkak të nivelit të lartë të të ardhurave.

 

Ndërsa në krize është bashkia e Kavajës, borxhet e së cilës janë në shifrën rekord prej 818 milionë lekë, duke u klasifikuar në vështirësi serioze financiare.

 

Më pas është Bashkia e Durrësit me 421 milionë lekë detyrime, ku 341 milionë lekë janë për investime. Dhe bashkia tjetër në vështirësi financiare është Vora, me 363 milionë lekë borxhe të prapambetura.

 

Shpesh në komisionet parlamentare, kryetarët e bashkive kanë kërkuar nga qeveria që këto borxhe të zerohen pasi nuk kanë aftësi për t’i shlyer sepse shumica është krijuar që në kohën e reformës së vjetër territoriale. Pra detyrime të trashëguara nga ish-komunat.

 

DETYRIMET E PRAPAMBETURA

Dhjetor 2023          4.839 mln lekë

Mars 2024              5.501 mln lekë

Rritja                       +662 mln lekë

 

BORXHET E BASHKIVE SIPAS KATEGORISË

                                       Dhjetor 2023           Mars 2024

Investime                      2.251 mln lekë           2.845 mln lekë

Shërbime                      540.1 mln lekë           635.2 mln lekë

Vendime gjyqësore         426.1 mln lekë           385.4 mln lekë

 

BASHKITË ME BORXHE

Bashkia Tiranë      1,176 mln lekë

Bashkia  Kavajë       818 mln lekë

Bashkia  Durrës        421 mln lekë

Bashkia Vorë            363 mln lekë

/Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat