Secondary Adv

Situate kritike nga zjarri ne Ranen e Hedhun, evakuohen turistet e banoret

Situatë kritike nga zjarri në Shëngjin. Flakët janë jashtë kontrollit dhe rrezikohen biznese e banesa.

 

Gjatë natës janë evakuuar turistë dhe banorë të zonës. Prej orës 07:00 ka nisur ndërhyrja me helikopter për shuarjen e flakëve. 

 

Situatë kritike paraqitet nga zjarri në Shëngjin, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit pavarësisht se është punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e tyre.

 

Flakët u janë afruar shumë afër resorteve e banesave, duke bërë që gjatë natës të evakuohen turistë të shumtë që po pushonin këtë zonë në kulmin e sezonit turistik, si edhe banorë të zonës.

 

Report Tv dhe Shqiptarja.com sollën pamjet nga flakët, të cilat dallohen teksa kanë rrethuar resortet, ndërsa zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës për të shuar flakët, por pa rezultat.

 

Kështu, nga ora 07:00 e mëngjesit të 30 korrikut ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter, me shpresën për të neutralizuar flakët. Në terren ndodhet ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i shoqëruar nga përfaqësues të shtabeve të emergjencave.

 

Flakët dolën jashtë kontrollit mesnatën e 30 korrikut, ndërsa policia bllokoi rrugën që të çon drejt zonës turistike të Ranës së Hedhun për të shmangur rrezikun për banorët dhe turistët.

 

20 mjete zjarrfikëse janë në terren nga disa qytete, Lezha, Mirdita, Kamza, Tirana e Berati Fieri, Lushnja, Vau i Dejës dhe Shkodra.

 

Operacioni gjatë gjithë natës është ndjekur nga Prefekti i Qarkut, nënkryetarët e bashkisë Lezhë, Drejtori i Gatishmërisë, Drejtori i Përgjithshëm të MZSH në MB, 3 fugon të FNSH, (1 Shkodra, 2 Tirana), Drejtori Policisë Vendore,  Lezhë, si dhe forca të shumta policore.

 

Flakët që ranë në Malin e Shëngjinit prej pasdites së 28 korrikut u riaktivizuan pasditen e së hënës, e megjithëse u ndërhy nga ajri me helikopter izolimi i flakëve ishte i pamundur. 

 

Zjarri ra fillimisht mbi qytetin e Shëngjinit, në fshatin Mal Shëngjin dhe si rezultat i ndërhyrjes u vu nën kontroll, nga ana veriperëndimore e qytetit. Por, shtimi i erës riaktivizoi zjarrin në pjesën jugore./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat