Secondary Adv

Kuvendi voton per ndryshimet ne Qeveri, miratohen ministrat e rinj

Mes zhurmës dhe kaosit Kuvendi miratoi ndryshimet në qeveri.

 

I pranishëm ishte kryeministri edhe Edi Rama që u bë objektiv i akuzave të opozitës se është urdhëruar nga krimi i organizuar për ministrat e rinj.

 

Mes klimës së tensionuar u votua në krye të Parlamentit edhe Elisa Spiropali, e cila nën një fjalim mes emocionesh nuk kurseu ftesën e bashkëpunimit për opozitën.

 

Mes një seance të tensionuar, Kuvendi votoi ndryshimet në qeveri dhe Elisa Spiropalin në krye të Parlamentit.

 

Që në minutat e para të seancës së jashtëzakonshme, - të thirrur vetëm pak orë pasi presidenti Bajram Begaj firmosi dekretet -  për të votuar 4 ministrat e rinj të kabinetit qeveritar dhe ndryshimet në drejtimin e Parlamentit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës, opozita nisi aksionin duke bllokuar foltoren.

 

Përplasje në distancë qenë të herëpashershme me kryeministrin Edi Rama të rikthyer në Kuvend pas muajsh mungesë. U desh ndërhyrja e Gardës për të shmangur letrat dhe shishet me ujë që deputetët e opozitës hodhën në drejtim të tij.

 

Mes kësaj klime të tensionuar, Kuvendi i dha bekimin me votat e socialistëve 4 ministrave të rinj: Petrit Malajt në krye të Financave, Pirro Vëngut në krye të ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Hoxhës ministër i Brendshëm dhe Taulant Ballës ministër i Shtetit për Parlamentin.

 

Pikërisht në votimin për Ballën, opozitës i rrodhën edhe 2 vota nga PDIU, dy deputetët e saj Nusret Avdulla e Gëzim Ademaj bashkuan votat për të vënë Ballën ministër pa portofol. 

 

Edhe votimi më i rëndësishëm i seancës, u bë sërish mes kaosit: Elisa Spiropali u votua Kryetare e Kuvendit në vend të Lindita Nikollës me 75 vota pro dhe 4 kundër.

 

Sikur t’i kishte paraprirë revoltës së opozitarëve, në fjalën e parë si numri dy i shtetit, Spiropali i shtriu dorën e bashkëpunimit.

 

Por grupi parlamentar i Partisë Demokratike e refuzoi menjëherë ftesën.

 

Pas seancës Gazment Bardhi tha se njëjtë si Nikolla, edhe Spiropali është në shërbim të kryeministrit, ndërsa ministrat e rinj tha se u emëruan nga krimi.

 

Ministrat e rinj pritet të betohen të mërkurën (31 korrik)  para Presidentit Bajram Begaj./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat