Detaje nga tenderi i Porto Romano: Siperfaqje 400 hektare, do te perpunohen 2 mln konteniere
Ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano do ti kushtojë buxheti të shtetit të shtetit gjithsej 470 mln euro.
Gara për ndërtimin e tij mbyllet më 16 shtator, ndërkohë do të trefishohen kapacitetet e tij.
Sipas detajeve të tenderit në portin e ri do të përpunohen 2 milionë kontejnerë në vit, si dhe do të priten rreth 1 milionë pasagjerë.
Rreth 392 milionë euro pa TVSH, ose gjithsej 470 mln euro, do të shpenzohen nga buxheti i shtetit për të ndërtuar portin e ri tregtar të mallrave, në Porto Romano, i cili do të jetë me kapacitete disa herë më të mëdha se ato aktuale.
Sipas detajeve të tenderit të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik thuhet se porti i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej më shumë se 400 hektar dhe do të ketë mbi 30 vend bregëzime për anijet detare.
Sipas studimit të bërë kapaciteti vjetor i portit do të jetë përpunimi i 2 milionë kontejnerëve dhe i 50 milionë tonë ngarkesave të tjera, dhe pritja e mbi 1 milionë pasagjerëve në vit.
Synimi është që me këtë investim Shqipëria të ketë një port të ri tregtar me terminal trefish më të madh se aktualisht dhe me thellësi dy herë me të madhe.
Ndërtimi i portit do të ketë impakt si në ekonomi ashtu edhe në punësim, pasi është kusht që kompania fituese të ketë 500-1500 punonjës të angazhuar në zbatimin e projektit.
Gara për portin do të jetë me dy faza. Brenda datës 16 shtator 2024, kompanitë e interesuar duhet të paraqesin ofertat e tyre. Pas mbylljes së garës do të vlerësohen kompanitë nëse plotësojnë kushtet teknike dhe financiare të përcaktuara në tender.
Më pas do të kalohet në fazën e dytë ku kompanitë që do të kualifikohen do të dorëzojnë ofertën e tyre e cila do të vlerësohet bazuar në një numër kriteresh teknike dhe financiare të paracaktuara.
Për të shkuar më pas në shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës brenda prillit të vitit të ardhshëm.
Porti i ri do të përfundojë në vitin 2028, pasi në dokumentet e tenderit thuhet se afati për ndërtimin e tij pas nënshkrimit të kontratës do të jetë 40 muaj.
Për qeverinë ky port do ti shërbejë Kosovës edhe Maqedonisë së Veriut, pasi do të jetë i lidhur me dy portet e Thata në Prishtinë e Strukë, përmes rrjetit hekurudhor.
Porti tregtar po zhvendoset nga Durrësi në Porto Romano, pasi porti ekzistues i mallrave do të kthehet në një marinë turistike./Burimi: Shqiptarja.com