Bie prodhimi i energjise ne vend, ulen humbjet ne rrjet, arketimet ne masen 100 per qind
Rreth 4.3 mln mWh energji u prodhuan gjatë 6 – mujorit të parë të këtij viti nga të gjithë burimet gjeneruese në vend.
Duke shënuar kështu një rënie në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua rreth 5 mln MWh energji.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi u dominua nga hidrocentralet private me 51% të energjisë totale, teksa Kaskada e Drinit gjeneroi 49% të energjisë totale.
Paralelisht ka vijuar edhe prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike.
Gjithsesi, në raport me vitin që shkoi rritja është e ndjeshme për shkak të nisjes së prodhimit nga Parku i Karavastasë.
Sipas të dhënave nga ERE, në total këto impiantenë treg të lirë prodhuan 21,135 mWh energji, ndërkohë që centrali i Karavastasë 135,653 mWh.
Energjia e prodhuar nga ky central diellore përbën 3.1% të energjisë totale të gjeneruar në vend.
Ndërkaq, konsumi total i energjisë për 6 – mujorin arriti në rreth 4 mln mWh energji, një nivel thuajse i njëjtë me atë të konsumuar në periudhën janar- qershor të vitit të kaluar.
Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 6 – mujorin u regjistrua në 17.69%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 19.88%.
Sa i takon nivelit të arkëtimeve për periudhën janar – qershor në 100%, të faturave të gjeneruara nga OSHEE./Burimi: Scan