Secondary Adv

Transformimi i lumit Lana, preken 317 familje, ja projekti i banesave te reja

Kryeministri Rama ka publikuar sot në rrjetet e tij sociale një video se si do duken banesat ku do streohen banorët të cilët preken nga projekti i transformimit të lumit Lana.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se do të ndërtohen edhe apartamente për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror.

 

“Dhe me pamjen e godinave që do të ndërtohen për strehimin e banorëve që shpërngulen për kapitullin e ri të transformimit të Lanës në Tiranë, por edhe apartamenteve për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

 

Ky projekt përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, "Gjergj Fishta" dhe "Bajram Curri" paralel me rrjedhën e Lanës dhe do të kushtojë 29 milion euro.

 

Segmenti i ri 1.8 kilometra, do të përfshijë ndërtimin e një shtrati të ri për lumin, për eliminimin e përmbytjeve të shpeshta në zonë.

 

Do të ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Lana, të cilat do të shërbejnë për qarkullimin e automjeteve, biçikletave dhe këmbësorëve.

 

Urat, me një gjatësi prej 24 metrash, do të lidhen me bulevardet e zgjeruara që do të përfshijnë gjithë infrastrukturën, si sinjalistika, ndriçimi, peizazhi, dhe telekomunikacioni.

 

Çfarë parashikon projekti?

 

Projekti që do të transformojë lumin Lana dhe qarkullimin në kryeqytet nga Pallati me Shigjeta deri tek kryqëzimi i Rr. ‘Teodor Keko’ në Astir do të kushtojë 29 milion euro.

 

Ndërtohet një shtrat i ri për lumin, zgjaten dy bulevardet përgjatë Lanë dhe 317 familje bëhen me shtëpi të re./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat