Mazniku: Rritje pagash per administraten vendore, formule e re per ndarjen e fondeve per bashkite
Këshilli i Ministrave në mbledhjen tij të fundit ka miratuar një sërë vendimesh, njëri prej të cilave lidhet edhe vendimin që I hap rrugë rritjes së pagave për punonjësit e Bashkive në të gjithë vendit.
Pagat në 61 bashkitë e vendit do të unifikohen. Pra, një jurist do të paguhet njësoj si në Bashkinë e Tiranës ashtu edhe në bashkinë e Dibrës.
Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike.
“Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë,
duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë etj merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë”, tha ministri për pushtetin vendor Arbjan Mazniku.
Po ashtu, nga viti 2025 bashkitë do përfitojnë fondin nga buxheti i shtetit përmes një formule të re.
“Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e garantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës. Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”, tha Mazniku.
Ndërkohë, qeveria ka miratuar edhe ndryshimet në orarin e punës për punonjësit e administratës, që parashikojnë më shumë fleksibilitet. Administrata do duhet të punojnë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten, dhe 6 orë të premten.
Ndërkohë, punonjësit mund të zgjedhin të shkojnë në punë kur të duan, mjafton që puna të mos lihet bosh çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.
“Në bazë të këtij vendimi parashikohet shprehimisht që ndërkohë kohëzgjatja e ditore mbetet e plotë, nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më herët,
ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premte”, tha ministrja Adea Pirdeni.