Treguesi i besimit ne ekonomi u rrit lehte ne korrik, u ndikua nga ndertimi
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rritje të lehtë me 0.7 pikë në muajin korrik.
Niveli i TNE-së qëndron rreth 11 pikë mbi mesataren historike.
Përmirësimi i TNE-së në korrik u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit në sektorin e industrisë dhe besimi konsumator.
Nga ana tjetër, besimi në tregti dha kontribut negativ.
Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rritje të lehtë me 0.3 pikë përqindje në muajin korrik, duke qëndruar rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rritja e treguesit këtë muaj u ndikua kryesisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe për nivelin e porosive të reja. Gjithashtu, bizneset ishin optimiste për rritjen e prodhimit
industrial në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën pak në krahasim me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 2.7 pikë përqindje në korrik.
Niveli i tij aktualisht qëndron 21 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Rritja këtë muaj u përcaktua nga të dy komponentët përbërës, vlerësimet për aktivitetin aktual ndërtues, si dhe niveli i porosive të reja.
Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje këtë muaj.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje 1.7 pikë përqindje në muajin korrik. Niveli i tij aktualisht qëndron rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rritja e besimit në sektorin e shërbimeve u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.
Vlerësimet për nivelin aktual të kërkesës mbetën pothuaj të pandryshuara nga niveli i një muaji më parë. Pritjet për kërkesën në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.
Treguesi i besimit në tregti regjistroi rënie me 3.1 pikë përqindje në muajin korrik, i ndikuar kryesisht nga vlerësime më pak optimiste për ecurinë e biznesit aktual.
Niveli i treguesit aktualisht qëndron rreth 5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje nga bizneset e tregtisë në korrik.
Treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje me 0.5 pikë përqindje në muajin korrik, duke ndërprerë prirjen rënëse të dy muajve të fundit.
Treguesi i besimit konsumator vijon të qëndrojë pranë nivelit të mesatares historike edhe këtë muaj.
Kështu, vlerësimi aktual dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha u rritën në korrik. Nga ana tjetër, pritjet për situatën ekonomike ishin më pak optimiste këtë muaj.
Pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen regjistruan rënie të lehtë.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/treguesi-i-besimit-ne-ekonomi-u-rrit-lehte-ne-korrik/)