Produktet Made in Albania, vendosen rregulla strikte, gjoba deri ne 200 mije leke per shkelesit
Bujqësia shqiptare po kthen “timonin” drejt prodhimit organik, për ti dhënë më shumë vlerë produkteve “Made in Albania” duke hedhur në treg dhe eksportuar në standardet më të cilësore.
Qeveria ka miratuar projektligjin për “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre” i cili përcakton rregullat e qarta për produktet organike të prodhuara në Shqipëri.
Projektligji synon të forcojë kontrollin e prodhimit organik; rritjen e numrit të operatorëve të prodhimit organik; si dhe rritjen e besimit të konsumatorit për produktet e etiketuara ose reklamuara si organike.
Ligji do të shtrijë veprimin mbi produktet me origjinë nga bujqësia, përfshirë akuakulturën, bletarinë dhe produktet e prejardhura prej tyre, kur ato prodhohen ose synohen të prodhohen, të përgatiten, të etiketohen, të shpërndahen, të vendosen në treg dhe të importohen ose të eksportohen.
Sipas draftit, OMGJ-të dhe produktet e prodhuara nga ose me OMGJ nuk përdoren në ushqim ose ushqim për kafshë apo si ushqim, ushqim për kafshë, lëndë ndihmëse në përpunim, produkte për mbrojtjen e bimëve, produkte plehëruese, përmirësues të tokës, material mbjellës dhe shumëzues bimor, mikroorganizma ose kafshë në prodhimin organik.
Po ashtu në draft përcaktohet se kulturat bujqësore organike, përveç atyre që kultivohen natyralisht në ujë, prodhohen në tokë natyrore ose në tokë të plehëruar me produkte dhe substanca të lejuara për përdorim në prodhimin organik, në varësi të përbërjes së tokës dhe shkëmbit amnor.
Ndalohet prodhimi hidroponik, i cili është një metodë e kultivimit të bimëve, të cilat nuk rriten në mënyrë natyrore me rrënjët në ujë, por vetëm në një tretësirë ushqyese ose në një mjedis inert, të cilit i shtohet një tretësirë ushqyese.
Sa i takon prodhimit blegtorale, ndalohet prodhimi blegtoral pa tokë, ku fermeri që synon të prodhojë kafshë organike, nuk administron ose disponon tokë bujqësore dhe nuk ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me shkrim me një fermer për përdorimin e njësive të prodhimit organik ose në kalim blegtoral, me përjashtim të rasteve të bletarisë.
I gjithë zinxhiri i prodhimit organik do të ndiqet nga trupat e certifikuara të kontrollit dhe përpara hedhjes në treg etiketohen me logon përkatëse që japin garancinë e prodhimit organik.
Projektligji parashikon edhe masa administrative në rast të shkeljeve nga bizneset.
Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 200 mijë lekë në varësi të shkeljeve, ku vlera më e lartë aplikohet për përdorimin OMGJ-ve, apo siç quhet ndryshe organizmave të modifikuara gjenetikisht./Burimi: Scan