EUROSTAT: Shqiperia kryeson Europen, ne vend te dyte me rritjen me te larte te fluturimeve
Të dhënat e transportit ajror flasin për rreth 2.9 milionë pasagjerë në tre muajt e dytë të vitit aktual.
Nga 1.7 milionë pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 64.7%.
Ndërkohë, në gjashtë muajt e parë të vitit regjistrohen rreth 4.8 milionë pasagjerë, sipas shifrave të INSTAT.
Po ashtu edhe transporti i mallrave në rrugë ajrore shfaqet pozitiv.
Por si paraqiten shifrat e numrit të fluturimeve? Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel”, në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, numri i fluturimeve u regjistrua në rreth 32 mijë.
Shifrat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi numrin e fluturimeve komerciale sipas vendeve të Europës tregojnë se Shqipëria është e dyta që ka shënuar rritjen më të lartë të këtij treguesi për gjashtëmujorin e parë, por edhe për muajin qershor, krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se numri i flututrimeve në vendin tonë është rritur me rreth 56%, krahasuar me periudhën Janar-Qershor të vitit 2023.
Shqipëria, bashkë me Islandën, kryeson me rritjen më të madhe, ndërkohë që numri i fluturimeve në Bashkimin Europian është rritur me 7%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023.
Vende të rajonit po ashtu raportojnë rritje të numrit të fluturimeve duke u renditur mes vendeve të para.
Maqedonia e Veriut renditet në vend të katërt në Europë sipas të dhënave të EUROSTAT, me një rritje prej 17%, pasuar në nivel rajoni nga Mali i Zi me 16% dhe Serbia me 12.2%.
Vendet Europiane të cilat kanë regjistruar rënie të numrit të fluturimeve komerciale në gjashtëmujorin e parë të vitit janë Suedia me 0.5%, Norvegjia me 1.2% dhe Bosnje Hercegovina me 3.4%.
Edhe nëse analizojmë shifrat e qershorit të këtij viti, shohim se tendenca paraqitet e njejtë.
Shqipëria dhe Islanda kryesojnë Europën me rritjen më të lartë të numrit të fluturimeve, prej 49.3% dhe 75% respektivisht.
Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian flet për një rritje të numrit të fluturimeve me 6.2% në qershor të këtij viti, krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë./Burimi: Scan TV