Secondary Adv

AMF: Kritere te reja per pensionet private, rriten penalitetet per shoqerite administruese

Për shoqëritë administruese dhe përfituesit e fondeve të pensioneve private, janë përcaktuar kushte të reja për tërheqjen dhe përdorimin e pagesës së pensioneve.

 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për konsultim publik projektrregulloren për mënyrën, afatet dhe procedurën e pagesës së pensionit privat.

 

Pensioni privat mund të tërhiqet si një pagesë e menjëhershme ose si një pagesë periodike mujore.

 

Gjithashtu, vlera neto e shumës së parave mund të përdoret për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti”, te një shoqëri sigurimi jete.

 

Në projektrregullore parashikohet marrja e pagesave të vazhdueshme mujore në formë pensioni të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet.

 

Ndërkohë që shoqëria administruese e fondit të pensionit privat duhet të njoftojë anëtarin brenda 5 ditëve pune nga dita e mbushjes së moshës për marrjen e pensionit.

 

Në çdo rast, anëtari i fondit të pensionit privat duhet të paraqesë një kërkesë te shoqëria administruese për marrjen e pagesës së menjëhershme si një shumë të vetme ose në disa shuma dhe periudha të barabarta apo të ndryshme, deri në shterimin e plotë të llogarisë.

 

Shoqëria administruese detyrohet t’i paguajë penalitet në formë interesi anëtarit të fondit të pensionit, në rastin e vonesave në pagimin e shumave të menjëhershme apo të pagesave periodike.

 

Shuma e interesit të pagueshëm tek anëtari i fondit për çdo pagesë të vonuar llogaritet duke marrë parasysh çdo ditë vonesë dhe shumën e pagesës së vonuar.

 

Për sa i përket trashëgimisë së aktiveve, tashmë në rregulloren e re përcaktohet qartë që paratë e mbetura në llogarinë e pensionistit pas vdekjes së tij, mund të trashëgohen te familjarët./Burimi: Scan


Më të lexuarat