INSTAT: Bizneset deklarojne rritje te pagave dhe punesimit
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, shumica e sektorëve kanë rritur punësimit dhe fondin e pagave, me pak përjashtime, ku sektori më në vështirësi është industria nxjerrëse. Në tremujorin e parë, numri i të punësurave ka rënë me 7.5%, ndërsa indeksi i fondit të pagave me 19.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vështirësitë e industrisë nxjerrëse janë kryesisht të lidhura me rënien drastike të çmimeve të lëndëve të para dhe sidomos të naftës bruto. Ndërsa segmenti me peshën më të madhe në industri, ai i industrisë përpunuese, ka regjistruar një rritje të punësimit me 10.6% dhe indeksit të fondit të pagave me 10.7%. Vijimësi të përmirësimit ka shfaqur edhe sektori i ndërtimit, kryesisht falë disa projekteve madhore në infrastrukturën energjetike. Sipas Instat, në tremujorin e parë të vitit punësimi në këtë sektor u rrit me 8%, ndërsa fondi i pagave me 8.6%.
Rritje në nivele të larta të punësimit ka raportuar edhe dega e shëbrimeve, mesatarisht me 13.5%. Krahasuar me një vit më parë, punësimi është rritur sidomos në aktivitete si agjencitë e udhëtimit me 27.8% apo hoteleria me 11.7%.Ndërkohë, edhe indeksi i fondit të pagave në shërbime është rritur, por me ritëm më të ulët në raport me rritjen e punësimit, prej 10.4%. Edhe në fondin e pagave rritja më e lartë regjistrohet në agjencitë e udhëtimit, me 38%, e ndjekur nga tregtia me pakicë me 14.2% dhehoteleria me 13.9%.
Treguesit e punësimit dhe pagave në përgjithësi përputhen me përmirësimet e treguesve kryesorë të ekonomisë reale që evidentojnë edhe statistikat e tjera, duke filluar nga rritja e prodhimit të brnedshëm bruto me afro 3% për të njëjtën periudhë.