Ne 26 korrik, presidenti i BERZH viziton Shqiperine
Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti, do të vizitojë tre shtete ku operohet në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme në kuadër të fazës së parë të turit të tij të gjerë rajonal.
Presidenti Chakrabarti do të vizitojë Kosovën në 25 korrik, Shqipërinë në 26 korrik dhe Malin e Zi në 27-28 korrik 2016.
Ai do të takohet me zyrtarë të lartë të tre shteteve për të diskutuar rëndësinë në rritje të Ballkanit Perëndimor për BERZH dhe rolin e saj në rajon. Presidenti do të takohet gjithashtu me përfaqësues të komuniteteve të biznesit dhe komuniteteve diplomatike si dhe me institucione të tjera financiare aktive në rajon. Ai do të nënshkruajë disa marrëveshje huaje në Kosovë, do të prezantojë një program lehtësimi financiar për bujqësinë në Shqipëri dhe do të marrë pjesë në një ceremoni inaugurimi të një qendre të shpërndarjes bujqësore në Mal të Zi.
Përpara vizitës së tij, Presidenti Chakrabarti deklaroi se “Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet tona. Ne kemi vendosur një dialog të ri midis kryeministrave të vendeve dy vite më parë në inaugurim të Samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në zyrat qëndrore të BERZH në Londër, duke vazhduar më tej me organizimin e Samitit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, sërish në zyrat qëndrore të BERZH në fillim të vitit, ku morën pjesë kryeministrat e rajonit dhe drejtues të bizneseve krahas qindra investitorëve të huaj. Kam kënaqësinë të shoh se formati i ri i bashkëpunimit rajonal, tashmë i njohur si “Proçesi i Berlinit”, po merr vrull. Ne mbetemi të angazhuar në mbështetjen aktive ndaj integrimit rajonal, përfshirë përmirësimin e lidhjeve në fushat e transportit dhe energjisë. Shpresoj të zhvillojmë më tej bashkëpunimin tonë dhe të diskutojmë ide të reja gjatë vizitës sime në rajon BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor.
Në Kosovë, BERZH ka investuar mbi 203 milionë euro në 48 projekte (numër i cili do të rritet në 50 projekte me dy nënshkrimet e planifikuara gjatë vizitës së Presidentit).Në Shqipëri, investimet totale të BERZH janë në vlerën 1.056 miliardë euro në 74 projekte.Në Mal të Zi, Banka ka investuar rreth 530 milionë euro në 53 projekte. Në fund të gushtit të këtij viti, Presidenti i BERZH do të vizitojë gjithashtu Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë.