Secondary Adv

Ndizen per here te pare TEC-et lundruese ne Vlore, do testohen 72 ore

Janë ndezur për herë të parë pas dy vitesh termocentralet lundruese të vendosura në Triport në Vlorë.

 

Report TV mëson që dy TEC-et do të kalojnë një provë 72-orëshe për të testuar prodhimin e energjisë përmes tyre. Pak ditë më parë Korporata Elektronergjetike hapi tenderin për të blerë 21 mijë tonë lëndë djegëse për të furnizuar termocentralet, në mënyrë që të nisë prodhimi i energjisë prej tyre.

 

Vënia në punë e gjeneratorëve ekonomikë, vjen në pikun e sezonit veror, kur mungesa e reshjeve ka shtuar importet, pasi prodhimi vendas nuk mbulon me furnizim të gjithë konsumatorët.

 

Edhe vetë KESH sqaronte se prodhimi nga TEC-et vjen në kushtet e mungesës së prodhimit, duke theksuar se ndezja e tyre do të bëhej vetëm në periudha sezonale kur nuk garantohet furnizim.

 

Pritshmëritë janë që pasi të nisë prodhimi i energjisë prej tyre të mbulohen deri 15% të nevojave të vendit për energji, ndërkohë kapaciteti i prodhimit është 110 megavat orë.

 

Për të prodhuar një megavat energji, TEC-et lundruese konsumojnë 229 kg lëndë djegëse, ndërsa kostoja e prodhimit përllogaritet mesatarisht 150-170 euro/ një megavat.

 

Ndërsa çmimi i energjisë në bursë luhatet deri në 130 euro/megavati, kurse në momente piku deri në 400 euro, megavati.

 

Vetëm si rezultat i prodhimit të pamjaftueshëm për të furnizuar qytetarët me energji në kushtet kur mungojnë reshjet e shiut, KESH ka blerë nga muaji qershor kur nisi importet e para deri më tani 38.1 milionë euro energji elektrike./Shqiptarja.com


Më të lexuarat