
Qiraja afatshkurter shtrenjton koston e strehimit te shqiptareve
Fluksi i turistëve të huaj ka nxitur rritjen e numrit të strukturave për dhënie me qira ditore.
Por edhe sivjet, agjentët e pasurive të paluajtshme ngrenë shqetësimin se zgjerimi i këtij tregu po bëhet në kurriz të stokut për qiranë afatgjatë.
Pakësimi i stokut vijon të shtrenjtojë koston e strehimit për shumë familjarë.
Sipas agjentëve mobilierë, shtimi i strukturave për qira ditore, pas periudhës së pandemisë, çdo vit i ka shtrenjtuar mesatarisht në Tiranë çmimet e qirave afatgjatë me 15 deri në 20%.
Sipas të dhënat të AirDna, strukturë e posaçme që mban të dhënat e tregut për qiratë ditore në platformën ndërkombëtare Airbnb, në muajin qershor në Shqipëri ishin të listuara 21,447 apartamente, vila apo shtëpi.
Krahasuar me qershorin 2023, numri i tyre u shtua me 39%, ndërsa krahasuar me qershorin 2022, listimet janë rritur me 73%.
Për agjentët, njohës të tregut të shitblerjes së pronave, rritja e numrit të njësive për qira ditore erdhi nga pritshmëritë për vijim pozitiv të turizmit, pas një viti të suksesshëm, ku në Shqipëri erdhën 10,2 milionë turistë të huaj, me qëllim shtimin e të ardhurave të gjeneruara.
“Përveç rritjes së numrit të turistëve të huaj, shtimi i stokut të banesave së qirasë afatshkurtër u ndikua edhe nga perceptimi në publik për qiranë ditore, si një mënyrë e shpejtë për të siguruar të ardhura, duke vënë në punë sa më shumë pasuri të paluajtshme”, vlerëson Stela Dhami nga “Colliers International Albania”.
Për këtë arsye, shumë individë dhe biznese investuan për ofrime strukturash të reja, si: apartamente, vila apo shtëpi me qira ditore, një lloj akomodimi tepër i preferuar nga turistët të huaj, për shkak të çmimit më të lirë sesa hotelet.
“Si çdo biznes me kërkesë të shtuar, edhe biznesi i shtëpive me qira ditore është rritur gjatë 2024-s. Kjo pasi kërkesa e turistëve apo vizitorëve të huaj për këtë lloj akomodimi është rritur.
Përveç kërkesës, edhe thjeshtësia apo impenjimi i pakët që kërkon ky biznes për t’u menaxhuar ka sjellë rritjen e ofertës në këtë sektor”, thotë z. Dritan Leka, drejtuesi i agjencisë imobiliare “CPM”.
Në Sarandë, për shkak të pritshmërive për fluks të lartë turistësh dhe rritje fitimesh, janë kthyer në shtëpi me qira ditore edhe njësi të papërshtatshme banimi, sipas Eron Çumani, drejtuesit të agjencisë së pasurive të patundshme, “Saranda Property”.
“Pritshmëritë për rritje të numrit të turistëve sivjet shtuan investimet për blerje apartamentesh, me qëllim dhënien e tyre me qira afatshkurtër. Për rrjedhojë, pati ofertë më të lartë.
Madje u investua edhe te njësi të papërshtatshme që pronarët kishin në pronësi, si depo apo magazina, vetëm se vjet ky biznes rezultoi fitimprurës nga rritja e numrit të turistëve”.
Mungesa e alternativave për të difersifikuar investimet konsiderohet nga agjentët imobiliarë një tjetër faktor që po zgjeron tregun e qirasë ditore.
“Qiraja ditore mbetet një mënyrë shumë e mirë e sigurimit të kthimit të investimit në një pronë, përderisa në Shqipëri mungojnë ende mundësitë për të marrë pjesë në fonde investimesh, në bursë etj.
Mentaliteti ynë gjithashtu bazohet në faktin se pasuria e paluajtshme është një pronë, e cila të mbetet gjithsesi, ndërsa investimet e tjera në njëfarë mënyre ndihen dhe si të paprekshme për shumicën e investitorëve shqiptarë”, thekson Stela Dhami.
Zgjerimi i vrullshëm i sektorit, jo vetëm po rrit çmimet e qirasë afatgjatë, por po “godet” edhe hotelerinë e bregdetit. Ndër të tjera ekspertët pohojnë se ky treg rrezikon të bëhet i paleverdishëm, pasi për shkak të ofertës së lartë, qiratë ditore po bien ndjeshëm.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/qiraja-afatshkurter-shtrenjton-koston-e-strehimit-te-shqiptareve-ndersa-nga-airbnb-u-fitua-25-mln-euro-ne-6-muaj/)
Më të lexuarat








