
MF: Ul taksat per shitjen e shtepive, afati per rivleresim deri me 28 shkurt
Qytetarët dhe bizneset kanë afat të bëjnë rivlerësimin e shtëpive me tatim 2 për qind deri më 28 shkurt 2017. Taksa që do të paguhet, do të llogaritet nga diferenca e vlerës së rivlerësimit të apartamentit dhe vlerës së mëparshme, ku do të jetë 2 për qind e kësaj diference dhe për biznesin 3 për qind.
Në rivlerësimin e apartamenteve në rast shitjeje do të përfshihen edhe shtëpitë e legalizuara, apartamentet që nuk kanë hipotekë, por vetëm kontratë sipërmarrjeje. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje ligjin për rivlerësimin e pasurive, duke ulur tatimin e pronës nga 15% në 2%. shtepiMinistri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se ligji takson 2 për qind vetëm diferencën e rivlerësimit të shtëpive dhe jo më vlerën e shitjes. “Rivlerësimi nuk është i lidhur drejtpërsëdrejti me transaksionin, por i lidhur me transaksionin nesër në potencë për ta lehtësuar.
Është një instrument lehtësues. Jam i bindur se do të jenë një masë e madhe qytetarësh që do të përfitojnë nga lehtësimi. Ka një mundësi shumë të madhe për atë pjesë që nuk arriti të bëjë rivlerësimin dhe janë 90 për qind.I japim mundësi një grupi shumë të madh qytetarësh. Rivlerësimi 2 për qind është mbi diferencën e rivlerësimit dhe jo mbi transaksionin. Transaksioni nesër vazhdon në normalitet të regjimit aktual”, tha Ahmetaj.
Ligji u mbështet nga opozita, por deputeti Ridvan Bode ngriti dyshimin se pas rivlerësimit, qeveria do të ndryshojë taksën e pasur ive, duke e kthyer atë sipas vlerës së tregut.“Duket sikur ky proces rivlerësimi për shtëpitë që kur t’i nxjerrin për të shitur të mos paguajnë 15 për qind, por 2 për qind, qeveria e bën sepse ka ndërmend të vendosë një taksë ‘ad valorum’, mbi banesat. Pra, nga një taksë që e kemi për metër katror, sipas vendndodhjes, të kalojmë në një taksë që bazohet mbi vlerën e shtëpisë.
Duket se këtu kemi të bëjmë me një kulaç dhe qeveria të ngrejë lart kërbaçin në momentin që sa ta kafshosh, do ta hash shumë më të fortë kërbaçin e qeverisë që do të vijë nga taksë mbi vlerën e shtëpive dhe kapitaleve”, u shpreh Bode. Deputeti Edmond Spaho u shpreh se ligji nuk do të sjellë efekte, ndërsa kërkoi ulje të tatimit mbi pasurinë e paluajtshme nga 15 për qind në 10 për qind.
Deputeti Sherefedin Shehu i propozoi Komisionit që tatimi i pasurisë për rivlerësim të mos jetë 2 për qind, por 0,5 për qind. Propozimi i Shehut u kundërshtua nga ministri Ahmetaj.“Logjika e 2 për qindëshit në këndvështrimin tim është goxha solide, jep insetivë goxha të madhe, por mban parasysh edhe raportin e pjesës tjetër”, tha Ahmetaj. Ndryshimet për përfshirjen në procesin e rivlerësimit edhe të shtëpive të legalizuara u bënë nga përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë, Arben Shkodra. “Të përfshihen qytetarët, të cilët nuk kanë prona të hipotekuara, por i kanë me kontratë sipërmarrjeje. Flasim për një numër të madh pronash, që nuk janë hipotekuar akoma, mund të jenë në proces legalizimi dhe nuk ka ndodhur akoma legalizimi i tyre”, u shpreh Shkodra.
Më të lexuarat








