Secondary Adv

Ndryshon ligji per kontrollet kufitare, Drafti: Kamera per identifikimin e personave

Qeveria ka propozuar ndryshimin e ligjit për kontrollin kufitar.

 

Ndër të tjera në dokumentin që pas votimit në Këshillin e Ministrave do të duhet të votohet në parlament parashikohet vendosja edhe e teknologjisë për identifikimin e personave.

 

“Policia Kufitare dhe e Migracionit është e autorizuar të zbatojë sisteme të automatizuara të verifikimit kufitar, ku, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve elektronike, mblidhen të dhëna për identifikim dhe për qëllim të verifikimit kufitar të automatizuar”, thuhet në draft.

 

Megjithatë, shtohet se vendosja e kamerave duhet të shoqërohet me tabelë informuese për publikun ku lajmërohet prezenca e tyre

 

“Në pikat e kalimit kufitar, Policia Kufitare dhe e Migracionit është e autorizuar të fotografojë dhe regjistrojë imazhe video-fotografike dhe të përdorë pajisje të tjera automatike, për aq sa ato janë të nevojshme për të verifikuar identitetin e personave dhe për të parandaluar e zbuluar veprat penale, si dhe për të kapur autorët e tyre.

 

Pajisjet instalohen në vende të dukshme dhe publiku informohet për praninë e tyre”, thuhet në draft. Në kufi kontrollet do të jenë si nga policia kufitare por edhe me vendet fqinjë apo në rastin e klandestinëve me shtetet nga ku ata nisen.

 

“Bashkëpunim me vendet e tjera, në veçanti në vendet fqinje dhe në ato vende të tjera, të cilat janë identifikuar nëpërmjet analizës së riskut si vende origjine dhe transiti për migracionin e parregullt”, thuhet në draft.

 

Në ligj ndër të tjera saktësohet detyrimi për përcaktimin e qartë të vijës kufitare dhe respektimi i direktivave të BE sa i përket hapësirës së dukshme në ndarjen mes dy shteteve./Burimi: Oranews.al


Më të lexuarat