Secondary Adv

1,2 mld euro stok, ne 7 muaj qeveria alokon vetem 24 per qind te fondit te shpenzimeve kapitale

Nga janari në korrik të këtij viti, buxheti alokoi vetëm 24 për qind të planit vjetor të investimeve publike.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në fund të 7-mujorit, në zërin e investimeve publike u çelën vetëm 32 miliardë lekë, ose 24 për qind e fondit vjetor te planifikuar për këtë zë.

 

Në krahasim me faktin e 7-mujorit 2023 investimet kapitale kanë shënuar rënie vjetore me 11 për qind. Të dhënat tregojnë se qeveria ka dështuar të realizojë programin e investimeve publike, që është pika më e fortë e realizimit të programit të qeverisë.

 

Nëse fondet e mbetura të investimeve rreth 102 miliardë lekë ose me shumë se 1 miliardë euro do të alokohen në 5 muajt e mbetur ato rrezikojnë të ndikojnë negativisht në disa tregues të tjera ekonomike.

 

Banka e Shqipërisë është shprehur më shumë se  njëherë se shpërndarja në mënyre jo të harmonizuar e fondit të investimeve përgjatë vitit financiar ndikon negativisht kursin e këmbimit.

 

Mungesa e fondeve buxhetore në qarkullim është bërë shkak për forcimin e mëtejshëm të lekut, teksa përqendrimi i tyre në muajin dhjetor bëhet shkak për rritjen e inflacionit.

 

Ish ekspertë të thesarit në Ministrinë e financave pohuan se përqendrimi i fondeve në fund të vitit rrit riskun e shpërdorimit të tyre.

 

Arsyet për mosrealizimin e programit të investimeve publike po lidhen me ngecjen e procedurave dhe hezitimin e punonjësve të prokurimeve për të firmosur, nisur nga frika e hetimeve të SPAK.

 

Burime brenda Agjencisë se Prokurimeve Publike pohuan se, ka një krizë për burime njerëzore në sektorin e prokurimeve dhe një frike të jashtëzakonshme për të firmosur dokumentet e tenderëve.

 

Institucionet financiare ndërkombëtare, nga ana tjetër, kanë rritur shqetësimet se menaxhimi i kornizës së investimeve publike përballet me dobësi në të gjitha fazat, që nga klasifikimi i projekteve e deri te zbatimi i tyre.

 

Edhe ky vit është duke përforcuar precedentin e përdorimit të fondeve të investimeve publike në muajt e fundit të vitit.

 

Rastet e bujshme që ka zbardhur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vërtetojnë se abuzimi me fondet publike në zërin e investimeve ka përmasa kolosale.

 

Ekzistojnë raste të tilla si inceneratorët ku është abuzuar me një pjesë të madhe të fondit për investimin, teksa kostot e kontratave koncesionare në shëndetësi janë fryrë mbi 50%.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/ne-7-muaj-qeveria-alokon-vetem-24-te-fondit-te-shpenzimeve-kapitale-12-miliarde-euro-stok/)


Më të lexuarat