Mallrat e akcizes, importi i birres ne nivele rekord, me i larti ne 5 vite
Sezoni i mbarë turistik dhe temperaturat e larta e kanë bërë birrën, jo vetëm një ndër produktet më të konsumuara, por edhe me rritje të kërkesës.
Referuar dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën janar-korrik 2024, janë importuar nga jashtë 32 mijë ton birrë.
Importet e këtij produkti kanë pësuar një rritje progresive në 5 vitet e fundit, duke shënuar sasinë më të lartë përgjatë 7-mujorit të këtij viti.
Nga ana tjetër edhe nëse do ta krahasojmë vetëm muajin Korrik, vihet re sërish një rritje e importeve në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme.
Në Korrik janë importuar 8974 ton birrë, sasia më e lartë e regjistruar edhe në raport me muajt e tjerë të këtij vitit.
Kjo shifër lidhet me kulmin e sezonit turistik, ku vihet re një rritje e lartë e konsumit të këtij produkti.
Të dhënat tregojnë se markat ndërkombëtare vijojnë të zgjerojnë terrenin e tyre në treg në raport me prodhimin vendas, ku sipas përfaqësuesve të industrisë, disa kompani kanë falimentuar ose i kanë shitur asetet.
Dyfishimi i akcizës së birrës në 710 lekë për hektolitër nga 1 janari 2023 duket se ka favorizuar më shumë importin dhe dhënë efekte negative për fabrikat e birrës në vend, të cilat u detyruan të rrisnin çmimin e produktit final.
Nga vendosja e kësaj takse, pasojat për industrinë kanë qenë të rënda dhe janë reflektuar gjithashtu në ulje prodhimi me 20 për qind dhe shkurtim të fuqisë punëtore.
Për shkak të çmimit të lartë nga kostove të shtrenjtuara, birra shqiptare po humbet konkurrueshmërinë, ndërsa sasia e blerë nga jashtë po rritet me ritme të larta.
Përfaqësuesit e industrisë kanë kërkuar nga qeveria që të marrë masa për korrigjimin e këtyre ndryshimeve në mënyrë që të mos dëmtohen prodhimi vendas./Burimi: Scan