Secondary Adv

Bizneseve iu kthyen 147 mln euro TVSH, rriten rimbursimet me 37 per qind per 7-mujorin

Rritja e konsumit në vend dhe e kërkesës për mallra, ka bërë që qeveria të tregohet edhe më “dorëlëshuar” në raport me rimbursimin e TVSH-së për bizneset.

 

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se vetëm për periudhën janar- korrik 2024, bizneseve u janë kthyer  14.7 miliardë lekë TVSH apo rreth 147 milionë euro,  duke shënuar një rritje prej 37% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku u rimbursuan 10.7 miliardë lekë.

 

Ndërsa, nëse do ta analizojmë vetëm për muajin Korrik 2024, rimbursimi i bizneseve ka pësuar rënie me 10 për qind. Përgjatë këtij muaji u rikthyen tek sipërmarrjet afro 1.5 miliardë lekë, nga mbi 1.6 miliardë që u shpërndanë në Korrik 2023.

 

Të ardhurat nga TVSH bruto përgjatë 7 mujorit u rritën me 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u regjistruar në afro 137 miliardë lekë, ndërsa për korrikun rezultuan me një rritje 16.6%

 

Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

 

Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).

 

Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit. Kërkesa për rimbursim i nënshtrohet procedurës normale të rimbursimit duke iu nënshtruar analizës se riskut për rimbursim.

 

Rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.

 

Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar për rimbursim, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

 

Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve ligjore, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër./Burimi: Scan


Më të lexuarat