Secondary Adv

Rritet rezerva valutore e Bankes se Shqiperise, afer niveleve me te larta historike

Vlera e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë është rritur gjatë muajve të verës dhe po i afrohet sërish niveleve më të larta historike, që u regjistruan në muajt e fundit të vitit të kaluar.

 

Sipas statistikave të Bankës Qendrore, në fund të muajit korrik, vlera e mjeteve të rezervës valutore arriti në afërsisht 5.7 miliardë euro, në rritje me 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Që prej fillimi të majit, muaj kur Banka e Shqipërisë nisi blerjet direkte me qëllim për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit euro-lek, vlera e rezervës valutore është rritur me 254 milionë euro ose 4.7%.

 

Ndërkohë, paralelisht Banka e Shqipërisë ka vijuar programin e blerjeve të planifikuara nëpërmjet ankandeve.

 

Kalendari i ndërhyrjeve parashikon që shuma e synuar për tu blerë nëpërmjet ankandeve për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milionë eurove dhe 330 milionë eurove.

 

Deri në fund të muajit korrik, janë zhvilluar 13 ankande nga 20 të planifikuara gjithsej.

 

Shuma e planifikuar për tu blerë në raundin e parë ka qenë në intervalin mes pesë dhe 10 milionë eurosh për ankand, megjithatë zakonisht Banka e Shqipërisë aplikon edhe blerje në një raund të dytë, me kursin mesatar të blerjeve të raundit të parë.

 

Deri tani, banka e Shqipërisë ka publikuar vetëm të dhënat e blerjeve të realizuara në tremujorin e parë, në vlerën e 32.6 milionë eurove. Ndërkohë, për vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 249 milionë euro në ankandet për planifikuara për nevojat e rezervës valutore vitin e kaluar.

 

Megjithatë, vlera e rezervës valutore nuk përcaktohet vetëm nga flukset e blerjes, por edhe nga lëvizjet e tregjeve financiare dhe vlera e instrumenteve të investimit të rezervës, siç mund të jenë titujt financiarë apo ari monetar.

 

Në fund të vitit të muajit korrik, titujt e borxhit përbënin afërsisht 76% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 15% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.

 

Duke qenë një ekonomi me pozicion tregtar negativ, sidomos në mallra, mungesa e valutës në momente të veçanta mund të krijojë probleme për aktivitetin ekonomik në vend.

 

Një nga kriteret kryesore në përcaktimin e vlerës minimale të nevojshme të rezervës valutore është arritja e një vlerë të mjaftueshme për të mbuluar të paktën katër muaj importe.

 

Sipas sipas statistikave të tregtisë së jashtme, rezerva valutore e vendit mbulonte pothuajse tetë muaj importe, bazuar në vlerën e tyre mesatare për shtatëmujorin e parë të këtij viti.

 

Gjithashtu, rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/rezerva-valutore-u-rrit-ne-muajt-e-veres/)


Më të lexuarat